UBT News

Radoniqi e informon presidenten për problemet në platformën elektronike të KQZ-së

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot është takuar me kryetarin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi për të diskutuar rreth mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit të presidencës, në këtë takim u diskutua për problemet e evidentuara në platformën elektronike të raportimit të rezultateve.

Radoniqi sqaroi se KQZ-ja, menjëherë ka ftuar institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë që të hetojnë problemin dhe se KQZ-ja është në pritje të raportit përfundimtar nga institucionet e sigurisë mbi çështjet e identifikuara që kanë ndikuar në funksionimin e kësaj platforme. Ky raport do të ndihmojë në vlerësimin dhe adresimin e çështjeve të evidentuara, duke siguruar transparencë të plotë mbi arsyet që kanë çuar te ky problem”, thuhet në njoftim.

Osmani është njoftuar nga Radoniqi se KQZ-ja, është duke punuar për të garantuar që çdo votë e dhënë për partitë politike të konfirmohet edhe gjatë procesit të numërimit të votave të kandidatëve.

Sipas kreut të KQZ-së, ky proces po realizohet me kujdes të shtuar për të siguruar përputhjen e plotë ndërmjet votave të regjistruara në sistem dhe atyre që ndodhen në kutitë e votimit. Që nga dita e zgjedhjeve, presidentja ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryetarin Radoniqi si dhe institucionet përkatëse të sigurisë dhe ka kërkuar që të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur procesin zgjedhor dhe për të garantuar respektimin e plotë të vullnetit të qytetarëve duke rikonfirmuar çdo votë edhe nëpërmjet numërimit manual, përveç atij të bërë në sistemin elektronik”, përfundon njoftimi.

Exit mobile version