Pranë sallës “1 Tetori” në Prishtinë janë parë njerëz duke pritur për t’u vaksinuar kundër koronavirusit. Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se më 12 maj nis vaksinimi i personave mbi 65 vjeç.
Koordinatori për vaksinim në sallën “1 Tetori”, Niman Bardhi, tha për Radion Evropa e Lirë se për shkak të keqinformimit, qytetarë nga komuna të tjera kanë ardhur të mërkurën në Prishtinë për t’u vaksinuar, duke krijuar radhë të gjata.
Kosova ka nisur imunizimin kundër COVID-19 në fund të marsit. Fillimisht janë vaksinuar personat mbi 80 vjeç, profesionistët shëndetësorë dhe ata me sëmundje kronike. Qeveria e Kosovës ka thënë se mëton që deri në fund të vitit të imunizojë 60 për qind të popullatës.