Numër i madh i personave të moshës mbi 65-vjeçare janë duke pritur në radhë për t’u vaksinuar në sallën “1 Tetori”, në Prishtinë. Qytetarët nuk janë të kënaqur me mënyrën e organizimit të vaksinimit, pasiqë sipas tyre po hyjnë shumë persona pa rend.
Shukrije Binaku, edhe pse tha se është në gjendje të rëndë shëndetësore, askush nuk po e merr në konsideratë dhe për t’i dhënë përparësi në vaksinim.
“Protezë edhe s’marrin në dorë hiç, nuk po më lejojnë as me u afruar”, deklaroi ajo.
Kurse Fatmire Sadriu është shprehur e pakënaqur me mënyrë e organizimit të vaksinimit pasiqë tha se shumë persona janë futur pa rend. Ajo tha se ka aplikuar në platformën e-Kosova, por megjithatë nuk ka pasur përparësi në vaksinim.
“S’kam pas frikë. E kam problem se kallaballëk, interesimin po e shoh si gjë pozitive dhe nuk ka të keqe, por organizimi është dashur me qenë më ndryshe. Kam aplikuar në e-Kosova dhe nuk ka përparësi, kanë hyrë plot njerëz pa rend”, tha ajo.
Nexhmi Berisha tha se është duke pritur që nga ora 07:30 e mëngjesit derisa shtoi se nuk ka frikë për t’u vaksinuar.
Edhe Hysen Dërvisholli është shprehur tejet i zhgënjyer pasiqë tha i kanë bashkuar katër komuna, që personat e moshës 65-vjeçare të vaksinohen në sallën “1 Tetori”.
Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se nga e mërkura fillon vaksinimi i personave mbi moshën 65-vjeçare. Përmes një njoftimi për media, MSh-ja ka bërë të ditur se fillimisht do të vaksinohen personat nga komunat e rajonit të Prishtinës.
“Nga sot, 12 maj 2021, procesi i vaksinimit kundër COVID-19 fillon për personat e moshës mbi 65 vjeç,v(me prioritet personat e regjistruar në platformën e-Kosova), fillimisht me komunat e Rajonit të Prishtinës për të vazhduar me komunat e tjera pastaj sipas orarit të bashkëlidhur”, thuhet në njoftim.