UBT News

“Racizmi përbën kërcënim për demokracinë e Gjermanisë”

Në një raport të ri thuhet se jo vetëm dhuna, por edhe racizmi strukturor dhe i përditshëm janë problemet kryesore në shoqërinë e gjermane. Komisionerja e parë e vendit kundër racizmit bëri thirrje që ky problem të trajtohet më me prioritet.

“Racizmi nuk është një koncept abstrakt, por një realitet i dhimbshëm për shumë njerëz në shoqërinë tonë”, tha Reem Alabali-Radovan të mërkurën, duke paraqitur raportin e parë vjetor të qeverisë mbi racizmin në Gjermani.

“Është një kërcënim i madh për demokracinë, pasi sulmon njerëzit dhe dinjitetin e tyre njerëzor, i cili u garantohet me Ligjin Themelor”, vazhdoi ajo.

Alabali-Radovan, në postin e sapokrijuar të komisioneres federale për antiracizmin, theksoi nevojën për mbështetje më të madhe për të prekurit dhe një trajtim më të madh të racizmit të përditshëm dhe strukturor në të gjithë vendin pas “viteve të injorimit të çështjes”.

Megjithëse Komisioni Federal për Migracionin, Refugjatët dhe Integrimin ka publikuar rregullisht raporte mbi situatën e emigrantëve dhe pasardhësve të tyre në Gjermani, ky raport i ri synon të plotësojë boshllëqet në këto studime si “prezantimi i parë gjithëpërfshirës i racizmit në Gjermani”.

Zyra e politikanes Alabali-Radovan solli studime të kryera nga organizata të tjera, sikurse National Discrimination and Racism Monitor (NaDiRa). Kjo organizatë realizoi 5 mijë intervista telefonike mbi temën e racizimit. NaDiRa, “për dallim nga shumica e studimeve sasiore ekzistuese, jo vetëm që anketoi anëtarët e popullatës shumicë, por edhe…grupet që mund të ballafaqohen me racizëm”.

Megjithëse Gjermania nuk ka ende një përkufizim ligjor standard të racizmit, raporti i ri përdori përkufizimin e dhënë nga një studim i qeverisë i vitit 2021 mbi integrimin, i cili thotë se racizmi nënkupton“besime dhe praktika që bazohen në zhvlerësimin dhe përjashtimin sistematik, si disavantazh i grupeve të caktuara të popullsisë, të cilëve u atribuohen karakteristika dhe sjellje të ndërtuara biologjikisht ose kulturalisht, të pandryshueshme dhe gjoja inferiore”./UBTNews/

Exit mobile version