UBT News

Qyteti si reflektim i mendësisë dhe (pa)mundësia për ta ndryshuar atë

Shkruan Shqiprim Ahmeti, PhD kandidat në fushën e Planifikimit dhe Zhvillimit Urban

  • Qyteti është një mekanizëm i gjallë dhe një vend lirie dhe një parakusht për modernen, gjithashtu dhe organizimi më superior socio-politik i një shoqërie. 
  • Aristoteli dhe Ibn Halduni e konsiderojnë qytetin si kulminacionin e zhvillimit të një shoqërie. 
  • Arkitekti Cansever qytetin e sheh si të arriturën më të madhe të shoqërisë njerëzore dhe si produktin më perfekt, më të kompletuar dhe më të dobishëm, mbase edhe më të domosdoshëm.
  • Planifikuesi urban Kevin Lynch, thotë: “Nëse doni të matni nivelin dhe shijen estetike të një shoqërie, s’keni pse lodheni me analiza të shumta, mjafton të shihni qytetet në të cilat ata jetojnë mbase ato janë tregues të mjaftueshëm për këtë”.

“Njeriu fillimisht e formëson hapësirën, e pastaj hapësira e formëson njeriun” është një konstatim të cilin e dëgjojmë rëndom kur e trajtojmë arkitekturën – pra formësimin e hapësirës dhe qytetin nga perspektiva filozofike, sociologjike dhe psikologjike. Përtej pajtimit se ky konstatim është i drejtë, mjaft shpjegues dhe ndihmues në kuptimin e raportit të njeriut me hapësirën, arkitekturën dhe ambientin në të cilin ky i pari jeton e vepron, ai përgjithësisht mbetet i mangët në shpjegimin e faktit se qyteti dhe ambientet në të cilat jetojmë, para së gjithash janë produkti më konkret, dhe patjetër më kompleks i mendjes dhe i dorës së njeriut. Pra, kemi të bëjmë me një arritje madhështore e cila bashkë me gjithë kompleksitetin që e karakterizon që ka është produkt i mendjes njerëzore, e cila edhe sot vazhdon ta zhvillojë dhe perfeksionojë atë. Në këtë kuptim, kemi një lidhje dhe raport të pazgjidhshëm mes arsyes njerëzore, konkretizimit të idesë/mendimit dhe qyteteve/hapësirave ku jetojmë. Nga e gjithë kjo, pashmangshëm lind një pyetje fundamentale, e cila mbase do të na bëjë ta rimendojmë raportin tonë  me hapësirat ku jetojmë: Meqë hapësirat ku jetojmë përgjithësisht qytetet janë produkt i mendjes dhe i punës sonë, dhe si të tilla janë të kontrollueshme dhe të ri-formësueshme, atëherë a jemi ne të detyruar të jetojmë në qytete kaq të pajetueshme dhe a jemi të detyruar ta pranojmë këtë si fatin tonë të destinuar sikur të ishim të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin?

Për t’i dhënë kësaj pyetje fundamentale një përgjigje gjithëpërfshirëse mirëpo të hapur, është e domosdoshme ta trajtojmë qytetin nga një perspektivë ndryshe – nga perspektiva filozofike, historike dhe sociologjike. E për këtë, pashmangshëm do t’u referohemi Max Weber-it, Aristotel-it, Ibn Haldunit, Turgut, Cansever-it e Kevin Lynch-it.  

Nga perspektiva e tij sociologjike, Max Weber qytetin e sheh si një mekanizëm të gjallë dhe si një vend të lirive, në të cilin dominojnë liritë individuale, liritë pronësore dhe liritë kolektive. Në këtë kuptim ai qytetin e sheh si një organizëm dhe një mekanizëm të domosdoshëm për lindjen, zhvillimin dhe vazhdimësinë e shoqërisë moderne, e cila mbi të gjitha është sendërtuar mbi premisat e lirive njerëzore. 

Kur jemi tek liria – gjithmonë sipas Weber-it, edhe liritë individuale e edhe ato kolektive vijnë kryesisht nga dy faktorë: Institucionet e shtetit modern dhe zhbërja e presionit shoqëror. Së pari, shoqëritë moderne karakterizohen me institucione shtetërore të cilat, ndër të tjera, garantojnë liritë individuale, pronësore dhe kolektive. Ndërsa faktori i dytë është më shumë psikologjik, ngase fakti që individi i cili jeton në qytet bashkë me shumë njerëz të tjerë me sfonde të ndryshme sociale, ekonomike, kulturore, profesionale, e politike, të cilët nuk i njeh dhe rrjedhimisht nuk ndjejnë ndonjë obligim t’u japin atyre – pra tjetrit, llogari për asgjë përderisa nuk i cenon të drejtat dhe liritë e tyre, kjo u jep atyre liri më të madhe individuale. Pra, kemi një çlirim psikologjik të llojit “bëj ç’të duash se s’ke njeri për t’i dhënë llogari, për asgjë”. Këtu, para së gjithash kemi të bëjmë me zbehjen, madje edhe me zhbërjen totale të presionit shoqëror a familjar të cilin rëndom e ndien njeriu/individi që jeton në shoqëri të mbyllura, të vogla dhe në shoqëri me tipare të shoqërive paramoderne.

Nga perspektiva e tij filozofike, Aristoteli e sheh qytetin si një mekanizëm të natyrshëm të shoqërisë dhe si organizimin më superior shoqëror dhe politik të shoqërisë njerëzore. Siç e dimë, ai (Aristoteli) njeriun e sheh si kafshë politike dhe njëkohësisht si qenie sociale e cila e ka të domosdoshme bashkëjetesën dhe ndërveprimin me qeniet e tjera të llojit të vet. Në këtë kuptim, gjithmonë sipas Aristotelit, familja ka qenë habitusi në të cilin njeriu i ka plotësuar nevojat e tij ditore dhe bazike, ndërkohë që me kalimin e kohës ka lindur nevoja për një organizim më superior se sa familja, e ky organizim është qyteti-shtet (polisi). Pra, qyteti në këtë kuptim është një organizim i nevojshëm, madje i domosdoshëm ku krijohen mekanizma dhe korniza brenda të cilave njerëzit e jetojnë jetën e tyre publike, flasin lirshëm dhe i mbrojnë mendimet dhe pikëpamjet e tyre, diskutojnë me të tjerët dhe (nuk) bijnë në ujdi për çështje të caktuara e të cilat i takojnë jetës dhe interesit publik.

Nga perspektiva e tij sociologjike dhe historike, edhe Ibn Halduni e sheh njeriun si qenie sociale e cila nuk mund të (mbi)jetojë e vetme, pa ndërveprim me qeniet e tjera të llojit të vet. Sa i përket qytetit, ai organizimin e jetës në qytet/jetën qytetare e sheh si stazën e fundit të evoluimit të nevojave njerëzore dhe rrjedhimisht si stazën e fundit të zhvillimit të llojit njerëzor. Siç e dimë, Ibn Halduni ndarjen e madhe shoqërore nuk e bën në baza fetare, ideologjike, gjeografike, kulturore e as politike, por e bën në baza të organizimit të jetës shoqërore. Në këtë kuptim ai shoqërinë përgjithësisht e ndan në dy grupe: në shoqëri nomade dhe në shoqëri qytetare. Përderisa pjesëtarët e shoqërisë nomade fokusohen vetëm në plotësimin/përmbushjen e nevojave bazike dhe ditore siç janë: banimi (strehimi), ushqimi, mbrojtja nga rreziqet (edhe natyrore edhe njerëzore) kjo nuk vlen edhe për shoqërinë qytetare. Ndërsa, gjatë evoluimit historik të shoqërisë njerëzore, pasi të jenë plotësuar nevojat bazike dhe ditore, lindin nevoja tjera përtej kësaj, e që janë nevoja për komoditet, nevoja për pushim dhe argëtim, nevoja për luks, nevoja për të mësuar dhe studiuar, nevoja për të organizuar sistemin politik, nevoja për ta organizuar dhe për ta zhvilluar edukimin, nevoja për t’u marr me art, filozofi, estetikë dhe zanate të ndryshme. Meqë asnjëra nga këto nuk mund të plotësohen në shoqëri nomade, atëherë lind nevoja për një organizim tjetër fare shoqëror, e kjo është jeta në qytet. Pra, me evoluimin e nevojave njerëzore, lind edhe domosdoja për një organizim tjetër fare shoqëror, rrjedhimisht riorganizim i jetës në tërësi, e kjo  mund të bëhet vetëm duke evoluar në shoqëri qytetare.

Në anën tjetër, arkitekti i njohur dhe kritiku i teorive të arkitekturës Turgut Cansever qytetin e sheh si të arriturën më të madhe të shoqërisë njerëzore dhe si produktin më perfekt, më të kompletuar dhe më të dobishëm, mbase edhe më të domosdoshëm të cilin shoqëria njerëzore e ka ndërtuar/krijuar me dorën e vet. Edhe Aristoteli, edhe Weberi, por edhe Ibn Halduni e shohin qytetin si organizëm të gjallë që ndryshon dhe merr formë konform kërkesave dhe nevojave njerëzore. E këtë pikëpamje e lexojmë edhe tek Turgut Cansever, i cili po ashtu mendon se qyteti është reflektim i zhvillimit/evoluimit normal të shoqërisë njerëzore, por ky i fundit i ngritë premisat dhe rëndësinë e qytetit në një shkallë më superiore duke e cilësuar atë si produktin më të dobishëm dhe më të kompletuar të mendjes dhe dorës së njeriut.

E tash, kur jemi tek trajtimi i qytetit si produkt i yni – pra produkt i mendjes dhe i dorës sonë si shoqëri, kjo pashmangshëm na bënë ta rimendojmë raportin tonë me qytetet/hapësirat në të cilat jetojmë e të cilat lëre se nuk reflektojnë nevojat dhe pritshmëritë tona, por edhe nuk janë në harmoni me dinjitetin tonë njerëzor thënë më së buti. E kjo vlen si për aspektin estetik e funksional, ashtu edhe për hapësirat publike dhe shërbimet e infrastrukturës të cilat në thelb funksionin e parë dhe të fundit e kanë t’na e lehtësojnë jetën e përditshme. Mbase, rimendimi i raportit tonë me këto qytete dhe hapësira do të mund të nisë nga pyetja thelbësore: A jemi të detyruar të jetojmë në këto hapësira, në formën dhe qenien e tyre të tanishme, sikur ky të ishte fati ynë i destinuar, apo mund ta ndryshojmë këtë?

Nga e gjithë çka u tha deri tash, mbase tashmë është e qartë se ne thjeshtë nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi me idenë se fati dhe destinimi ynë është të jetojmë në këto hapësira, ashtu siç i kemi trashëguar, nëse këto të fundit nuk janë të përshtatshme për neve, për kërkesat, nevojat dhe pritshmëritë tona. Meqë qyteti të cilin e kemi trashëguar është produkt i mendjes dhe i dorës së shoqërisë dhe mendësisë nga e cila e kemi trashëguar, atëherë apriori edhe ne mund ta ndryshojmë dhe ta ri-formësojmë atë dhe ta perfeksionojmë, duke  e bërë më të përshtatshëm për nevojat tona dhe në këtë mënyrë ta bëjmë jetën tonë më të lehtë, më të mirë, më përmbajtjesore dhe estetikisht më të pasur. 

Kur jemi tek aspekti estetik, përderisa arkitektura konsiderohet edhe si materializim i pikëpamjes sonë ndaj botës, (mos)prania e estetikës apo (mos)qarja e kokës për aspektin estetik në hapësirat ku një shoqëri jeton, është tregues i rëndësishëm dhe ndihmues në krijimin e një mendimi a opinioni për shijen estetike dhe për pikëpamjen e një shoqërie të caktuar ndaj botës në tërësi. Në këtë pikë, Kevin Lynch, për shembull, është mjaft i prerë, duke sugjeruar se: “Nëse doni të matni nivelin dhe shijen estetike të një shoqërie, s’keni pse lodheni me analiza të shumta, mjafton të shihni qytetet në të cilat ata jetojnë, mbase ato janë tregues të mjaftueshëm për këtë”.

Përtej gjithë kësaj, planifikimi i qyteteve, si disiplinë teknike dhe si zanat kompleks, para së gjithash është produkt i mendjes dhe mendësisë moderne, e cila realitetin përbrenda të cilit gjendet nuk e sheh si fat të cilin nuk mund ta ndryshojë, por përkundrazi, veten e sheh si të fuqishme për ta ndryshuar atë, duke ia përshtatur nevojave dhe kërkesave të veta. 

Exit mobile version