Konsiderohet si një prej qyteteve më të bukura në botë për ta vizituar, megjithatë Vjena është e pamposhtur edhe kur bëhet fjalë për të jetuar aty.
Në listën vjetore të Economist Intelligence Unit (EIU), qyteti austriak është kurorëzuar si qyteti më i mirë për të jetuar. Kjo organizatë bëri matjen në 173 qytete përreth globit bazuar në disa faktorë domethënës, sikurse kujdesi shëndetësor, kultura dhe mjedisi, stabiliteti, infrastruktura dhe arsimimi.
Ky është i treti vit radhazi që Vjena kryeson listën falë rezultateve të mira në katër prej pesë kategorive. Në aspektin e kulturës dhe mjedisit, Vjena u rendit në pozita më të ulëta për shkak të mungesës së dukshme të ngjarjeve të rëndësishme sportive.
Në pozitën e dytë renditet Kopenhaga e Danimarkës, ndërkaq Zyrihu i Zvicrës u pozicionua në vendin e tretë, krahasuar me vitet paraprake kur renditej në vendin e gjashtë.
Melburni i Australisë ra nga vendi i tretë në atë katër, ndërkaq qyteti kanadez Calgary është në vendin e pestë sikurse Gjeneva e Zvicrës.
Vankuveri i Kanadasë dhe Sidnei i Australisë u pozicionuan në vendin e shtatë dhe tetë respektivisht, ndërkaq Osaka e Japonisë dhe Aucklandi i Zelandës së Re u pozicionuan në vendin e nëntë dhe dhjetë respektivisht.
Edhe Evropa Perëndimore performoi mirë, me 30 qytete që shënuan një rezultat mesatar prej 92 nga 100. Sipas organizatës, rajoni kryesisht përballet me jostabilitet, që i atribuohet rritjes së protestave dhe krimit./UBTNews/