Një qytetar me aftësi të kufizuara nga Fusha-Kosova ka paditur sot këtë komunë për arsye të diskriminimit. Ai tha se kishte bërë kërkesë te kryetari i Komunës për rregullimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara dhe ndaj ndalimit të diskriminimit të personave me aftësi të kufizuara, por përgjigja që është marrë nga ai nuk ishte precize.
Besart Ramadani tha se ka bërë kërkesë te kryetari i Komunës të Fushë Kosovës për rregullimin e infrastrukturës për personat me aftësi të kufizuara, teksa shtoi se përgjigja e tij ishte jo adekuate për atë që ai ka kërkuar.
“I kam bërë një kërkesë kryetarit për rregullimin e infrastrukturës, kam dërguar e-mail dhe kam marrë përgjigje jo adekuate dhe jo precize për ata që unë kam kërkuar. Më janë përgjigjur “po në tërë kohën kemi punuar për personat me aftësi të kufizuar, nuk i kemi lënë anash” por asgjë konkrete për kërkesat e mia. Unë kam kërkuar të rregullohen trotuaret, qasjet nëpër institucionet, aty ku ne kemi nevojë me shku më së shumti sepse problemet janë të dukshme. E kam parë të arsyeshme me bë padi, nuk i kemi marrë përgjigjet e duhura”, tha Ramadani.
Ndërkaq, avokatja e Ramadanit, Latife Neziri tha se në padi është kërkuar mbrojtja në të ardhmen nga diskriminimi dhe ndalimi i trajtimit diskriminues për qasjen në infrastrukturë.
“Padia është për mbrojtje nga diskriminimi dhe shpërblim dëmi në përgjithësi. Përmes këtyre padive është kërkuar mbrojtja edhe në të ardhmen nga diskriminimi dhe ndalimi i trajtimit diskriminues kryesisht për qasjen në infrastrukturë”, shtoi ajo.
Vlera e dëmshpërblimit që ata kanë vendosur është 13 mijë euro.