Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është e gatshme t’i ofrojë të gjitha mjetet e nevojshme që vendi të ketë një regjistrim të saktë të popullsisë. Ai tha se shuma e ndarë për këtë projekt nga Qeveria është 12 milionë euro.
Në ditën e dytë të Javës së Regjistrimit të Popullsisë, Bislimi bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës të regjistrohen. Sipas tij, sistemi statistikor do të ndihmojë në rritjen e saktësisë së shumë indikatorëve të rëndësishëm.
Zëvendëskryeministri i Kosovës tha po ashtu se të dhënat e popullsisë kanë nevojë të rifreskohen, derisa u shpreh i bindur se kjo do të ndikojë edhe për një politikbërje më të mirë.
Emilja Rexhepi, zëvendëskryeministre e Kosovës për çështje të Pakicave dhe të Drejtave të Njeriut, tha se organet qeveritare duhet të punojnë në edukimin e qytetarëve në mënyrë që regjistrimi të jetë i suksesshëm, derisa shtoi se të gjitha të dhënat do të përdoren vetëm për qëllimet e statistikës.
Sipas saj, duhet ndryshohet mentaliteti që qëllimi i regjistrimit shërben vetëm për politikë. Ajo tha se qëllimi është të ketë informata të sakta.
“Në shtetet e Ballkanit akoma në rend të parë ekziston mentaliteti se regjistrimi shërben vetëm për qëllime politike që të ndikohet përmes disa të dhënave të grupeve të caktuara, si qeveri dëshirojmë ta ndryshojmë këtë sepse dëshirojmë të marrim informata të sakta, regjistrimi duhet të jetë i suksesshëm për gjithë ne”, tha ajo.