UBT News

Qytetarët vizitojnë FSK-në në 24 vjetorin e Epopesë së lavdishme të UÇK-së

Qytetarë nga komuna të ndryshme të Kosovës po qëndrojnë në Kazermën “Adem Jashari”, në 24 vjetorin e Epopesë së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ata po vizitojnë njësitet ushtarake të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe po u rrëfejnë fëmijëve të tyre historinë e popullit shqiptar për liri e pavarësi. Sipas tyre, është shumë e nevojshme që gjeneratat e reja të dinë për luftën e UÇK-së dhe rënien heroike të familjes Jashari në Prekaz.

Në ditën e shënimit të 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, qytetarët thonë se sakrifica sublime e familjes Jashari dhe gjithë UÇK-së nuk do të harrohet asnjëherë.

“Kam ardhur me fëmijë me i vizitu Forcat e Sigurisë së ushtrisë tonë, në këtë ditë të shënuar, në këtë ditë te kombit që mburremi gjithë populli shqiptar, një festë dhe krenari për atë që familja Jashari dhe gjithë populli shqiptar kanë dhënë për këto ditë që po i gëzojmë sot. Është e rëndësishme me ua përcjellë dhe me ua kujtu atë që populli ka sakrifikuar për këtë ditë. Ta kujtojmë dhe mos ta harrojmë për një te ardhshme sa më të mirë dhe të sigurt për brezat qe vinë”, thotë Jahë Gecaj nga Deçani.

Ndërsa, Fadil Osmani nga Kamenica e ka sjellur të birin për t’i parë nga afër njësitë e FSK-së.

“Më kënaqësinë me të madhe e kam sjellë çunin në këtë sitë te veçantë siç është Epopeja e UÇK-së. Prandaj çdo shqiptar e feston këtë ditë dhe me krenarinë më të madhe, edhe ne fëmijët tanë i edukojmë dhe i sjellim në këtë ditë te cilën të gjithë dëshmorët dhe ata të cilët e sillën ketë liri ne e kemi obligim qytetar ta festojmë dhe t’i edukojmë”, thotë Osmani.

Sipas tij, është shumë e rëndësishme që brezat e rinj të dinë që rrugëtimi për këtë ditë ka qenë jashtëzakonisht i vështirë.

E nga Drenasi ka ardhur Shkëlzen Shehu me familjen e tij. Ai thotë se e ndjen obligim që t’u rrëfejë fëmijëve historinë e 5,6 dhe 7 marsit.

“Sot se bashku me familjen time kemi ardhur ti vizitojmë forcat tonë të armatosura të FSK-së, për ne është obligim qe fëmijëve tanë tu tregojmë se ku ishim dhe ku jemi sot. Është krenari e jona sot e gëzojmë këtë liri falë dëshmorëve, falë familjes Jashari dhe te gjithë dëshmorëve që tanë për liri”, thotë Shehu.

Në shënim të 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së, në Forcën e Sigurisë së Kosovës sot është ditë e hapur dhe qytetarët kanë mundësi të qëndrojnë brenda kazermës.

Aty është mbajtur edhe ceremoni shtetërore për të shënuar këtë ditë dhe për të kujtuar sakrificën e familjes Jashari dhe të rënëve të tjerë për liri.

Në ceremoni ishte edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Përpraim Rama.

“Tash e kemi këtu ushtrinë tonë, ndjehemi te lirë, ndjehemi të sigurt si rezultat i flijimit të familjes së madhe te Jasharëve. Kjo është e ardhshmja jonë e sigurt dhe shpresoj shumë shpejte si anëtar te NATO-s, si pjesë e Evropës së lirë. E kemi një moment tash në aspektin gjeopolitik çka është duke ndodhur në Ukrainë me Rusinë, është një moment që ndoshta mund të shfrytëzohet për të mirën e Kosovës. Ta shfrytëzojmë rastin dhe te bëhemi pjesë e NATO-s”, tha Rama.

Për nderë të Epopesë së UÇK-së, në Kosovë do të ketë aktivitete edhe më 6 dhe 7 mars, ku ato kulmojnë me Natën e Zjarreve që organizohet tradicionalisht në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz. 

Exit mobile version