Kapacitete e ngrohtores së qytetit të Gjakovës NQ “Gjakova” janë shumë të vogla në krahasim me kërkesat. Kjo ndërmarrje publike që është nën autoritetin e komunës, ka aplikuar në Zyrën e Rregullatorit të Energjisë Elektrike-ZRRE për tarifat e reja për sezonin 2021 -2022.
Në sezonin ngrohës 2020 -2021, qytetarët e Gjakovës që janë të lidhur më ngrohtoren e qytetit kanë paguar nga 0. 97 euro për m2 në muaj. P.sh për një banesë 70 m2 janë paguar 68 euro në muaj. ZRRE-ja ka propozuar që për sezonin 2021 -2022 tarifa të jetë në vlerë prej 0.90 euro, ose 7 për qind më pak se në sezonin e kaluar.
Duke u bazuar në vlerësimin gjithëpërfshirës të aplikacionit tarifor të NQ Gjakovës, ZRRE-ja ka ardhur në përfundim se aplikacioni tarifor është i pakompletuar dhe nuk përmban të gjitha komponentët siç specifikohet në Rregullën për përcaktimin e çmimeve të energjisë termike dhe në kërkesën e ZRRE-së për të dhënat dhe informatat për shqyrtimin tarifor. Sipas këtij institucioni, mungojnë ose janë të mangëta detajimet dhe shpjegimet përcjellëse për pozicionet kryesore të kostove dhe nuk janë dorëzuar dokumente mbështetëse të specifikuara në kërkesën e ZRRE-së. Po ashtu, sipas ZRRE-së, strukturimi i të dhënave dhe informatave përcjellëse të paraqitura është shumë kaotik dhe pa një renditje logjike.
“Përveç faktit se mungojnë një numër i konsiderueshëm i të dhënave dhe informatave, duhet potencuar se, të dhënat dhe informatat e paraqitura në kuadër të aplikacionit tarifor janë mjaft të pasakta dhe jo-konsistente, në kuptimin që vërehen mos-përputhje të dukshme mes të dhënave për të njëjtin pozicion, të paraqitura në pasqyra ose tabela të ndryshme. Kjo përgjithësisht vlen si për paraqitjen e aseteve, kostove operative ashtu edhe për të dhënat e ‘përcaktuesve të faturimit’ – sipërfaqet ngrohëse, prodhimin dhe furnizimin e energjisë termike, humbjet e rrjetit, e tjera të ndërlidhura. Kjo pamundëson në masë të madhe konfirmimin saktësisë dhe vërtetësisë së këtyre të dhënave dhe informatave të paraqitura. Nga sa u tha më lartë, mund të konkludohet se, aplikacioni tarifor i NQ Gjakovës është i mangët / i pakompletuar, me paraqitje jo-korrekte të dhënave dhe me shumë pasaktësi. Një aplikacion i tillë pamundëson përcaktimin e drejtë dhe korrekt të të hyrave të lejuara e rrjedhimisht edhe tarifave të ngrohjes”, ka shkruar ZRRE në draft raportin e aplikimit të Ndërmarrjes për tarifat e reja, ndonëse në fund ka dhënë rekomandimin për shumën tarifore. Ky draft-raport është hedhur për diskutim publik.
Në pasqyrën ‘B’ të raportit që ka paraqitur ngrohtorja janë paraqitur të hyrat dhe shpenzimet operative të parashikuara për periudhën që përfshinë sezonin e ngrohjes 2021-2022. Sipas ZRRE, kjo pasqyrë nuk është shoqëruar me detajizimet (shpalosjen) e pozicioneve kryesore të kostove, ashtu siç përcaktohet me rregullativë.
“Të hyrat e planifikuara në vlerë prej 973,156 euro janë të parapara nga shitja e ngrohjes dhe janë të njëjta me faturimin e planifikuar në Pasqyrën ‘C’ për sipërfaqen ngrohëse totale 100,000 m2. Ne vlerësojmë se ky është një parashikim tejet jo-real, mbi-parashikim tejet i madh, sepse për një sipërfaqe ngrohëse prej 100,000 m2 as për së afërmi nuk mund të realizohen të hyra prej afër 1mil€. Për ilustrim po përmendim se NQ Termokos për sipërfaqe ngrohëse mbi 1.4 mil m2 realizon të hyra nga shitja e ngrohjes rreth 7 mil euro. Nën pozicionin ‘Të Ardhurat tjera’ nuk është paraqitur subvencioni për lëndën djegëse – Në Buxhetin e Kosovës për vitin 2021, përmes, atëherë, Ministrisë së ekonomisë dhe ambientit, janë ndarë 300,000 euro, dhe po ashtu në Buxhetin e vitit 2022 janë të ndara 300,000 euro”, thuhet në raport.
Në Pasqyrën ‘C’ të raportit është parashikuar një sipërfaqe ngrohëse totale prej 100,000 m2 , e tëra e parashikuar për konsumatorët ‘pa matje’ – pra faturimi tërësisht i bazuar në sipërfaqen ngrohëse për m2. Në këtë sipërfaqe totale, sipërfaqja e konsumatorëve shtëpiak merr pjesë me 54,600m2 ndërsa sipërfaqja e konsumatorëve komercial e institucional është parashikuar të jetë 45,400 m2. Për këtë sipërfaqe ngrohëse është planifikuar një faturim prej 973,156 euro – për kategorinë e konsumatorëve shtëpiak shuma prej 681,209 euro dhe për ata komercial e institucional 291,947 euro. Në këtë rast, sipas ZRRE nëse duhet referuar ndryshimit enorm mes shumave të planifikuara të faturimit këto 2 kategori të konsumatorëve (që kanë afërsisht sipërfaqe ngrohëse të barabarta), arrihet në përfundim për një planifikim tërësisht të gabueshëm nga ana e NQ Gjakovës, shkruan lajmi.net.
Pasi ka dhënë propozimet e veta ZRRE, të cilat do të jenë në shqyrtim publik, ka theksuar se këto nivele tarifore do të vlejnë ekskluzivisht vetë për periudhën gjer në përfundim të këtij sezoni 2021-2022. ZRRE pret që aplikacioni tarifor i NQ Gjakovës, për shqyrtimin e ardhshëm tarifor për sezonin 2022-2023, të jetë në pajtim me kërkesat ligjore dhe rregullative, ashtu që të mundësohet një përcaktim meritor dhe i bazuar i të hyrave të lejuara dhe tarifave.