Në Dardani, shkallët tek posta e madhe vazhdojnë të sjellin telashe dhe pengesa për qytetarët. Tashmë kanë kaluar shumë vite, dhe këto shkallv ende janë në gjendjen e njejtë – të shkatërruara. Ato vazhdojnë të jenë të thyera, jo të gjëra sa duhet dhe të rrezikshme.
Gjatë stinës së dimrit shkallët bëhen shumë të vështira për t’i zbritur pasi që shumë lehtë njerëzit rrëzohen. Ndërkohë banorët shprehen të pakënaqur me procesin e rregullimit të tyre. Ata thonë se nuk janë ndërmarrur masat e duhura për rregullimin e tyre dhe se duhet bërë më shumë për sigurinë e të gjithëve.
Një qytetar u shpreh se komuna është përgjegjëse, dhe duhet të bëjë më shumë në krijimin e kushteve më të mira për qytetarët, në këtë rast rregullimin e infrastrukturës dhe shkallëve. Sipas tij, përgjegjësia kryesore bie mbi qeverisjen lokale të Prishtinës.
Një qytetar tjetër tha se në fillim duhet që ankesat të paraqiten tek bashkësia lokale, dhe më pas në komunë, për të kërkuar sipas rregullave ndërhyrjen e organeve komunale në rregullimin e problemeve të tilla.
Puna tani ka ngecur edhe si pasojë e zgjedhjeve. Qytetarët shpresojnë që kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama, të emërojë së shpejti drejtorët e rinj të komunës, në mënyrë që përgjegjësi për rregullimin e infrastrukturës të ndërmarrë pa vonesë masa për rregullimin e këtyre shkallëve.
Ulis Hamiti
Student- Fakulteti Media dhe Komunikim, UBT