UBT News

Qytetarët në përkrahje të ish-drejtuesve të UÇK-së: Do të dalin të pafajshëm

Qytetarët të cilët janë mbledhur në Hagë për të treguar përkrahjen e tyre ndaj ish-krerëve të UÇK-së, kërkojnë gjykim të drejtë dhe presin që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi të dalin të pafajshëm nga Gjykata Speciale.

Në qytetin holandez, ku është selia e Gjykatës Speciale, të hënën janë parë flamuj kuq e zi si asnjëherë më parë.

Shqiptarë nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe nga Kosova, pleq, të rinj e fëmijë, janë mbledhur disa kilometra larg gjykatës duke kërkuar “drejtësi për çlirimtarët”.

Shyhrete Bytyqi ka ardhur nga Prizreni me familjen e saj dhe thotë se Serbia është ajo që ka kryer krime.

“Kemi dalë me e përkrah ushtrinë çlirimtare që ka luftuar për vatan e për popull. (Ish-krerët e UÇK-së) tash po mbahen padrejtë në Hagë, në vend se me qenë serbët çka na kanë bërë, nuk ka drejtësi. Kemi ardhur prej Prizreni vetëm për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakupin e kemi kushëri, po na djeg zemra për ta por nuk po kemi çka me bë, do Zoti sa më lehtë e kalojnë këtë gjykimin e tyre”, thotë ajo.

Ndërsa Sylejman Rexhepi nga Frankfurti shpreson në lirimin sa më të shpejtë të ish-pjesëtarëve te UÇK-së.

“Kemi ardhur në përkrahje të Hashimit, Kadriut, Krasniqit dhe Rexhepit, po mbahen padrejtësisht dhe presim sa më shpejt që të lirohen, kriminelët janë në Serbi dhe jo këtu në Kosovë”, ka thënë ai.

Nga Gjermania ka ardhur edhe Shemsi Hyseni.

“Kemi dalë në mbështetje të krerëve të UÇK-së, si gjithmonë edhe gjatë luftës edhe pas luftës jemi me çlirimtarët… Gjykimi vetëm vonesë sepse këta janë të pafajshëm, ne kemi bërë luftë në vendin tonë, nuk kemi shkuar në Serbi ta bëjmë luftën”, ka thënë ai.

Protestuesit u mblodhën në kohën kur në gjykatore filloi gjykimi kundër Thaçit dhe të tjerëve.

Katërshja e UÇK-së edhe njëherë u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.

Prokuroria e Speciales pretendon se të njëjtit kanë kryer krime lufte.

Pas fjalimeve, shpërndarja e protestuesve po bëhet nën tingujt e muzikës kushtuar luftës së UÇK-së dhe ish-pjesëtarëve të saj.

Exit mobile version