Qytetarët e Maqedonisë së Veriut po mobilizohen për një bojkot të ri të marketeve këtë të premte, në një aksion të quajtur “E premtja e zezë për marketet”. Ky është vazhdim i bojkotit të 31 janarit, i cili sipas organizatorëve ishte i suksesshëm, por nuk solli uljen e çmimeve të produkteve bazë.
Qeveria ka paralajmëruar kontrolle dhe masa rigoroze ndaj zinxhirëve tregtarë, por ende nuk ka dhënë detaje mbi rezultatet e inspektimeve. Ekspertët e ekonomisë theksojnë se bojkoti mund të ketë ndikim momental si formë presioni, por problemi me çmimet është strukturor.
Bojkoti i kaluar u mbështet nga opinioni publik, partitë politike dhe funksionarët. Sipas të dhënave zyrtare, qarkullimi në marketet kryesore u ul me gati 47% krahasuar me ditën e premte të mëparshme. Megjithatë, të shtunën pas bojkotit, shitjet u rritën me 11.2%, duke sugjeruar se qytetarët shtynë blerjet për pas bojkotit./UBTNews/