UBT News

Qytetarët ankohen për shtrenjtimin e rrymës: E papërballueshme, jemi lodhur

Rritja e çmimit të energjisë elektrike ka ngjallur shqetësim në mesin e disa qytetarëve të Kosovës. Sipas tyre, shtrenjtimi i rrymës 15.4 për qind nga 1 prilli nuk do të jetë e përballueshme.

Qytetarët thonë se janë lodhur me ngritjen e vazhdueshme të energjisë elektrike, dhe të produkteve të tjera bazike.

Qytetari Selver Lenjani thekson se do të ankohet dhe nuk do të le ‘guri’ pa lëvizur tek të gjitha institucionet për shtrenjtimin e çmimeve që po rritën vazhdimisht. Ai tutje theksoi se jetesa e përditshme po u vështirësohet vazhdimisht.

“Është një shtrenjtim marramendës që as qeveria Kurti nuk e ka kuptuar hallet e qytetarëve të Kosovës, të cilët janë me një varfëri të skajshme dhe i kanë marrë të gjitha afër vetës me vendime të prera që të shtrenjtoi rrymën, e gjërat ushqimore të cilat janë bazike. Ky popull është i lodhur dhe i ngarkuar nga obligimet shtetërore. Energjia elektrike, gjërat ushqimore, vazhdimisht janë rritur dhe po krahasohen me vendet e rajonit, ato që e kanë të zhvilluar ekonomin, industrinë, kurse ne s’kemi as ekonomi as industri, ne që jetojmë nga doganat, nga ndihmat shumë sociale. Me të gjitha pagat që i kanë rritë, janë mashtruar qytetarët, që nuk po munden as ekzistencën minimale ta sigurojnë nga kjo qeveri Kurti, çka të presim më shumë prej saj”, tha ai.

Asllan Zeqiri thotë se këto çmime janë mjaft të larta dhe se shteti nuk i ka falur asnjëherë asnjë pagesë.

“Të gjitha çmimet janë të larta, tani edhe rryma që shtrenjtohet edhe çmimet e tjera do të rriten… Unë jam pensionit dhe duhet të shkojmë të pyesim këta qeveritarët se a po munden të i përballojnë shtrenjtimet, që munden të marrin sa të dëshirojnë para, e jo neve që na duhet të përgjysmojmë të gjitha gjërat e tjera.. Unë edhe pse asnjëherë nuk kam harxhuar më shumë se 800 kilovat , shteti asnjëherë nuk më ka falur asnjë pagesë”, potencoi Zeqiri.

Edhe Shaban Osmani ka thënë se shtrenjtimi i rrymës është i papërballueshëm për të.

“Nuk është e përballueshme çfarë janë duke bere këta nuk e di, vetëm shiko neper firma çfarë janë duke bërë i kanë rrotulluar punëtorët, i kanë ‘mbytur’ s’ka çfarë të bëjnë prej korrupsioni vetëm rrotullo punëtor. Me 300 euro pagë si mundesh me përballu, ku është familja, shkollimi e të tjerat, një person punon duhet ta mbaj të tërë familjen. Prej që jam duke paguar rrymë asnjëherë nuk më kanë falur, ju kanë falur atyre që nuk duhet komuniteteve dhe serbeve, kurse neve jo”, tha ai.

E qytetari Hashmet Baxhaku ndryshe nga qytetarët e tjerë nuk e ndau mendimin e njëjtë me këtë çështje, ai shtoi se energjia elektrike nuk është e shtrenjtë dhe është mjaft e përballueshme.

“Kam frigorifer, 2 bojlerë, lavatriqe, 2 shporet elektrik, enëlarëse, 2 termos të cilat i shfrytëzoj gjatë kohës së dimrit, dhe ku mund të jetë energjia elektrike e shtrenjtë… Edhe pse unë kam pensionin prej 100 euro, prapë nuk është rryma e shtrenjtë, kur ke drita, nxehtësi, pra sërish e shtrenjtë kjo energji”, theksoi ai.

Tarifat e reja të energjisë elektrike kanë hyrë në fuqi me 1 prill dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars të vitit 2024. Shtrenjtim të energjisë elektrike ka pasur edhe në shkurt të vitit të kaluar për konsumatorët që konsumojnë energji elektrike mbi 800 kWh. 

Exit mobile version