Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni, ka thënë se ndërhyrjet e Serbisë brenda territorit të Kosovës nuk duhet përjashtuar asnjëherë, siç ishte rasti i Banjskës. Quni është optimist se institucionet e sigurisë janë të përgatitura për çfarëdo lloj situate, teksa kërkon më shumë bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare.
“Unë po besoj që organizatat dhe institucionet e sigurisë kanë analiza adekuate për të cilat edhe ne deputetet shërbehemi dhe i përdorim si referent. Asnjëherë nuk duhet përjashtuar situatat e ndërhyrjet e ndryshme nga autoritetet e Serbisë nga territori i Serbisë në brendi të Kosovës siç ka ndodhur më 24 shtator, por sidoqoftë unë jam i bindur që institucionet tona të sigurisë tani më janë më të përgatitura për t’u ballafaquar me situata të tilla. Vetëm një gjë do ta apeloja që në raste tjera të ketë një bashkëkoordinim me autoritetet ndërkombëtare, në veçanti me atë të KFOR-it”, u shpreh Quni.