Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Anton Quni tha se Qeveria nuk ka arritur ta planifikojë përfundimin e kontratës së furnizimit me ushqim në mënyrë të duhur.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës të thirrur nga opozita rreth krizës së furnizimit me ushqim në FSK, ai tha se me kontraktorin e mëparshëm, Ministria e Mbrojtjes kishte lidhur një kontratë të ngjashme urgjente mbi 3 herë, për periudha deri në gjashtë muaj, me një vlerë mbi 7 milionë euro, duke u bazuar në procedura të shpallura ekstreme emergjente.
Ai tha se kjo situatë ka krijuar paqartësi dhe pasiguri dhe ka reflektuar negativisht mbi kredibilitetin e institucionit më të besueshëm në Kosovë. Quni kërkoi që Qeveria që ta evitojë këtë qasje, duke thënë se kjo “jo vetëm që rrezikon shëndetin e ushtarëve tanë, por përfshin pasoja strategjike lidhur me aftësinë tonë për të përmbushur detyrimet ndërkombëtare dhe për të mbrojtur sigurinë kombëtare”.
“Absolutisht e papranueshme që një procedurë kaq e rëndësishme si ushqimi për ushtrinë tonë të shpërfaqë shkelje elementare, ky njëherë procedura klasifikohet si sekrete dhe pastaj si procedurë esktreme emergjente, në kundërshtim me legjislacionin dhe praktiva të shteteve demokratike. Ligji për prokurimin publik saktëson qartë se klasifikimet lejohen vetëm në raste të jashtëzakonshme ku kërkohet siguri kombëtare”.
“Ushqimi nuk përbën asnjë nga këto raste, dhe mund të planifikohen në mënyrë efektive…Përjashtimi duhet të jetë vetëm kur FSK angazhohet në vende ndërkombëtare…Ushqimi nuk është emergjencë e papritur, është diçka që mund të planifikohet me kalendar e transparencë…Përtej kësaj sot e pas një viti e gjysmë MB, pa planifikim adekuat e pa procedura transparence e konkurence, vendosi të aplikojë procedurë të ngjashme emergjente”.