Shtetet e QUINT-it dhe zyra e BE-së janë shprehur të shqetësuara me vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’ia ndaluar hyrjen në Kosovë, partiakut të Kishës Ortodokse Serbe, Profirije.
Në një deklaratë të lëshuar sot QUINT-i thekson se vendimi i Qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisaarit dhe nuk është në përputhje me obligimet e Kosovës në dialogun e lehtësuar nga BE.
“Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë janë të shqetësuara me vendimin e qeverisë së Kosovës për të mos lejuar patriarkun Porfirije të Kishës ortodokse serbe dhe peshkopët që e shoqëronin atë për të hyrë në Kosovë për të marrë pjesë në ngjarjen e fillimit ceremonial të kuvendit të rregullt vjetor të Sinodit në Patriarkanën e Pejës. Vendimi i qeverisë është në kundërshtim me dispozitat e Planit të Ahtisarit, i cili i përshkruan qartazi të drejtat, privilegjet dhe imunitetet për klerin e Kishës ortodokse serbe, si dhe nuk është në përputhje me detyrimet e Kosovës në dialogun e BE-së”, thuhet në komunikatë.
QUINT thotë se pret nga Qeveria e Kosovës të aplikojë standarde më të larta drejt përmbushjes së kornizës ligjore për të drejtat e njeriut, dhe të përmbahet nga çdo veprim që mund të rrisë tensionet.
“Presim që qeveria e Kosovës të përmbushë standardet më të larta për të drejtat e njeriut si në kornizën e saj ligjore ashtu edhe në veprimet e saj, të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj dhe t’i respektojë vlerat dhe përgjegjësitë thelbësore ndaj stabilitetit rajonal. Vazhdojmë t’ju bëjmë thirrje të dy palëve që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe të çojë në incidente”, thuhet në komunikatë.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës të hënën ka konfirmuar se ka refuzuar kërkesën e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, për të vizituar Patriarkanën e Pejës.
Përmes një komunikate për media, MPJD tha se derisa Serbia të vazhdojë të shkel Marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve shtetërorë të Kosovës në Serbi dhe të mos ndalet me fushata kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare, të vazhdojë të përdorë gjuhë të urrejtjes dhe kërcënime kundër Kosovës dhe përfaqësuesve të saj, nuk do të lejohen vizitat as nga ana e Kosovës.