Shtetet e Quint-it kanë shprehur “zhgënjim të madh” me vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë, të caktuara më 3 prill.
Vendet e Quint-it janë: Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Italia, Gjermania dhe Franca.
“Përderisa ne e vlerësojmë qasjen e Serbisë për të gjetur zgjidhje, me zhgënjim të madh ne shohin vendimin e Qeverisë së Kosovës për të refuzuar propozimin konstruktiv të prezantuar nga Quint-i”, thuhet në deklaratë.
“Me këtë vendim, Qeveria e Kosovës ka dështuar të demonstrojë përkushtimin për parimin e mbrojtjes së të drejtave civile dhe politike për të gjithë qytetarët, përfshirë edhe anëtarët e grupeve të minoriteteve”, thuhet në deklaratë.
Sipas Quint-it, “kjo sjellje e Qeverisë së Kosovës nuk është në linjë me vlerat dhe parimet tona dhe do të minojë aspiratat e saj evropiane”.
Quint po ashtu i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.
“Ne presim nga Qeveria e Kosovës që të veprojë në interes të të gjithë qytetarëve të saj, të punojë në uljen e tensioneve dhe të angazhohet në mënyrë konstruktive në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Ky proces është kritik në arritjen e përparimit drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim, që përfundimisht do të zhbllokonte perspektivën evropiane të Kosovës”, tha Quint-i.
Në deklaratën e Quint-it po ashtu mirëpritet vendimi i Qeverisë së Kosovës për të vendosur sanksionet ndaj Rusisë për shkak të pushtimit në Ukrainë, duke ndjekur shembullin e BE-së, por edhe të SHBA-së.
“Megjithatë, nga Kosova pritet që të respektojë vlerat thelbësore dhe përgjegjësitë ndaj stabilitetit rajonal dhe të respektojë proceset demokratike, por edhe të zotohet për mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve të grupeve minoritare”, tha Quint.
Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i dërgojë kërkesë ekzekutivit kosovar për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare serbe, që mbahen më 3 prill.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha se me këtë kërkesë, Kosova ka kërkuar që Serbia ta njohë pavarësinë e saj.
“Serbia nuk mund ta pranonte këtë dhe Serbia nuk do ta pranojë këtë”, tha Vuçiq në një konferencë për shtyp më 22 mars.
Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se ka kërkuar që të ketë marrëveshje mes dy qeverive për mbajtjen e zgjedhjeve.
“Unë kurrë nuk kam synuar që nëpërmes këtij letërkëmbimi ta sjell njohjen e Serbisë. Unë e kam ditur që kjo nuk bëhet, mirëpo nuk mund të kërkojë askush prej meje që unë të mos e njoh Republikën e Kosovës, pavarësinë e vendit tonë”, tha Kurti në një intervistë për transmetuesin publik të Kosovës.
Të martën, Kurti ka thënë se ka kërkuar që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.
“Nuk do të thosha që Qeveria ka marrë vendim për mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, por e vërteta është se nuk ka marrëveshje paraprake, natyrisht që paraqet kushtin për mbajtjen e atyre zgjedhjeve, e i cili kusht nuk është plotësuar. Ne kemi pritur shkëmbim normal të letrave të kërkesës së tyre, të trajtimit tonë, por kjo nuk ka ndodhur”, tha Kurti.
Komuniteti ndërkombëtar i ka bërë vazhdimisht thirrje Qeverisë së Kosovës që të gjejë mënyra për mbajtjen e zgjedhjeve serbe.
Zgjedhjet e fundit parlamentare, që Serbia i ka organizuar edhe për komunitetin serb në Kosovë, kanë qenë ato të 21 qershorit 2020.
Ato zgjedhje janë mbajtur sipas një praktike të mëhershme, ku misioni në Kosovë i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë i ka grumbulluar votat. Ato vota më pas janë numëruar në Rashkë dhe Vranjë, dy qytete kufitare të Serbisë.
Kjo praktikë është krijuar qysh në vitin 2017 dhe autoritetet e Kosovës e kanë lejuar këtë gjë./REL