Pas më shumë se tridhjetë vitesh qëndrimi pas kamerës, regjisori legjendar Quentin Tarantino po rikthehet në botën e aktrimit me një rol surprizues.
Fituesi i shumë çmimeve ndërkombëtare do të shfaqet në filmin “Only What We Carry”, me regji të Jamie Adams, në atë që cilësohet si projekti i tij më i rëndësishëm në ekran që prej “From Dusk Till Dawn” (1996).
Drama, e xhiruar në Francë, trajton tema të thella si dashuria, humbja dhe forca për të ecur përpara pas momenteve të vështira. Filmi përshkruhet si një udhëtim emocional dhe intim, ku Tarantino luan rolin e John Percy-t, mikut të ngushtë të personazhit kryesor Julian Johns, të interpretuar nga Simon Pegg.
Në kastin e filmit marrin pjesë edhe Sofia Boutella, Charlotte Gainsbourg dhe Liam Hellmann, ndërsa këngëtarja e njohur Lizzy McAlpine do të bëjë debutimin e saj të parë në kinemanë artistike.
Ky rikthim në aktrim vjen pas vendimit të Tarantinos për të pezulluar projektin e shumëpërfolur “The Movie Critic”, i cili pritej të ishte filmi i tij i dhjetë dhe njëkohësisht i fundit në karrierën si regjisor.
Ndërsa fansat mbeten në pritje për të parë nëse ai do t’i qëndrojë vendimit për t’u tërhequr nga regjia, rikthimi i tij në aktrim pritet të zbulojë një anë të re dhe të papritur të një prej figurave më ikonike të kinemasë moderne. /A.Z/UBT News/
