Presidentja Vjosa Osmani ka lartësuar veprën e tij, në mbështetje të viktimave të dhunës seksuale. Ajo tha se Gërxhaliu ka trajtuar me dhjetëra gra të cilat i mbijetuan aktit makabër. Dëshmia e tij u dëgjua edhe në Tribunalin e Hagës por edhe në gjykatat vendore, me qëllim që të kërkohet drejtësi për të mbijetuarat.
Vajza e tij, Gonxhja tha se dëshira më e madhe e babës së saj ishte drejtësia për të gjitha këto gra.
“Dëshmia e babit ndihmoi edhe në dënimin e një dhunuesi dhe dëshira e tij më e madh gjithmonë ka qenë që të zbardhen krimet e luftës në Kosovë, veçanërisht gratë e dhunuara. Andaj edhe ne si familje e tij i inkurajojmë të gjitha gratë e dhunuara, të mbijetuarat e luftës që të vazhdojnë të kërkojnë drejtësi. Vlerësojmë shumë kontributin e zonjës Vasfije, e cila është heroina e të gjithë shqiptarëve jo vetëm e grave të dhunuara dhe të mbijetuarave”, u shpreh ajo mes lotëve.
E mbijetuara e dhunës seksuale, Vasfije Krasniqi tha se vet ajo ishte trajtuar në Vushtrri nga Shukri Gerxhaliu.
“Unë edhe pse nuk kam qenë në dijeni, në kohën e luftës ai mua më ka shëruar në malet e Vushtrrisë”, tha shkurt e mbijetuara e parë e cila foli publikisht.
Presidentja Osmani u zotua se do të rrisin përpjekjet që bota të dëgjojë për të mbijetuarat nga Kosova. Ajo tha se puna e institucioneve duhet të rritet në mbështetje të të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Ky përvjetor i qendrës na bëri bashkë, por ne në fakt bashkë jemi gjithmonë. Jemi bashkë në një luftë, e cila po vazhdon. Është luftë për t’u ngritur mbi një dhimbje e cila është vështirë të përshkruhet me fjalë. Është luftë për të ngadhënjyer mbi një ndër plagët me të thella që i ka kjo shoqëri. Mirëpo, kur njeriu flet me të mbijetuarat dhe kur përballet me këto storje dhe kur e shohim se me çfarë guximi të jashtëzakonshëm gra e burra të Kosovës janë shndërruar në heronj e heroina të këtij vendi, nuk ka se si të mos na i ngritë vullnetin edhe neve që t’i rrisim përpjekjet tona të përbashkëta që të sigurohemi që lufta jonë për drejtësi, mbi të gjitha lufta jonë për drejtësi të vazhdojë”, deklaroi ajo.
Ajo përmendi edhe rastin e parë të dënimit për dhunim seksual gjatë luftës, ku u shpreh se ka edhe raste të tjera për të cilat janë ngritur aktakuza. Më tej, theksoi se doktor Shukri Gërxhaliu ka trajtuar shumë gra të dhunuara seksualisht.
“Dua sot ta kujtojmë kontributin e doktorit, i cili që nga fillimi i luftës ka bërë punë të jashtëzakonshme, asnjëherë duke mos e përmend punën e tij në mbështetje të grave viktima në një rajon ku ka pasur aq shumë viktima dhe unë kam qenë e nderuar që vitin e kaluar për nder të Ditës së Pavarësisë t’ia ndaj atij medaljen më të lartë presidenciale, medaljen presidenciale të meritave për kontributin e jashtëzakonshëm në mbrojtjen e së vërtetës dhe mbrojtjen e të mbijetuarave në një kohë ku ndoshta shumë prej tyre nuk kanë pasur derë tjetër. Dhe në ato momente të rënda, që kanë qenë më të rëndat në historinë jetësore të këtyre grave dhe burrave ta kesh një derë ku mund të mbështetesh dhe ku mund të kërkosh shërim është e jashtëzakonshme”, u shpreh ajo.
Drejtoresha e QKRMT-së, Feride Rushiti tregoi se ka qenë vjeshta e vitit 1999 kur nisën të punojnë me një grup te mjekëve por pa u shfaqur.
“Ai (Shukri Gërxhaliu) ka pasur atribute të veçanta si person, se të vish dhe t’i shprehësh dhimbjen një viktime e dhunës seksuale një doktori, nuk ka qenë e lehtë. E ka pasur një intuitë të tillë që ka bashkë ndjerë plagën me të mbijetuarat. Dhe në atë kohë ai nuk ka qenë vetëm doktor, ka qenë psikolog për to. Përtej asaj nuk ka mbetur vetëm me kaq, sepse në rrethana lufte secili e ka ndjerë obligim që të kontribuojë, mirëpo e ka vazhduar punën me to dhe duke i ruajtur me fanatizëm dosjet që i ka mbajtur dhe i ka shënuar që në të ardhmen e afërt këto dosje t’i shërbejnë drejtësisë. Dhe jo vetëm në Tribunalin e Hagës që ka dëshmuar suksesshëm qoftë gjatë gjykimit të Millosheviqit, por edhe në rastin e Zoran Vukotiqit për t’u vu drejtësia në vend, dëshmia e tij ka qenë qenësore”, theksoi ajo.
Rushiti tha se edhe rastet e tjera të cilat janë në proces gjyqësor, i ka referuar vet Shukri Gërxhaliu.
Prokurorja speciale, Drita Hajdari deklaroi se është numër i vogël i të mbijetuarave të cilat po raportojnë dhunimin seksual gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Nga fundi i vitit 2018 deri më tani kemi ngritur gjithsej gjashtë aktakuza për dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë. Prej të cilave një rast është gjykuar me aktgjykim të formës së prerë. Mirëpo ajo që dua të them është se në të ardhmen duhet të punohet sa më shumë me viktimat e dhunës seksuale në mënyrë që viktimat të raportojnë rastet, të ju jepet kurojë dhe garancia që identiteti i tyre nuk do të zbulohet në asnjë mënyrë gjatë procedurës penale”, përfundoi ai.
Ajo u shpreh se Shukri Gërxhaliu ka dhënë dëshmi për gjykatën në rastin e Zoran Vukotiqit, i cili është i dënuari i vetëm nga gjykatat vendore.
Presidentja Osmani është takuar me pesë të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Këto gra kanë raportuar rastin në institucionet e drejtësisë. Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së rasteve.