Qiramarrësit dhe punëtorët e lokaleve kanë protestuar të mërkurën për rritjen e çmimit të qirasë nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) për lokalet në Prishtinë.
Ata kanë kërkuar që NPB t’i mbajë çmimet e vjetra, pasi siç thanë përballja me krizën ekonomike po u shkakton humbje të mëdha.
Genc Durmishi, njëri nga organizatorët e kësaj proteste, tha se çmimet niveli lokal i ka rritur 100 për qind.
“Kjo rritja e çmimit ka ndodhur për 100 për qind dhe për ne është e papërballueshme. Fjalët e Komunës nuk kanë qenë kështu, për atë arsye ne jemi të pakënaqur”, tha Durmishi.
Disa nga përfaqësuesit e protestuesve hynë brenda në komunë dhe u pritën nga nënkryetari i komunës, Alban Zogaj.
Së fundmi, komuna e Prishtinës ka ngritur edhe çmimin e biletave njëdrejtimëshe të trafikut urban.