Studentët e UBT-së dhe ata që kanë njohuri në fushën e inteligjencës artificiale dhe machine learning, do të kenë mundësi të reja për t’u zhvilluar profesionalisht dhe për t’u ngritur në karrierën e tyre, përmes bashkëpunimit në mes UBT-së dhe kompanisë amerikane XponentL Data.
Mbi 500 vende të reja të punës priten të gjenerohen nga ky bashkëpunim, të cilin e kanë mirëpritur përfaqësuesit e të dyja institucioneve, UBT-së dhe XponentL Data.
Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi është shprehur se ky është një hap i rëndësishëm për të krijuar mundësi të reja për studentët dhe të rinjtë e Kosovës, të cilët të ardhmen e shohin nga kjo fushë.
“Ata të rinj të cilët duan të studiojnë rreth inteligjencës artificiale dhe në përgjithësi rreth teknologjisë informative, do të kenë mundësi të bëhen pjesë e një tregu global. Kjo arrihet falë bashkëpunimit tonë me kompaninë amerikane XponentL Data, të cilët janë të gatshëm të ndihmojnë dhe të angazhohen fuqishëm në këtë aspekt”, ka thënë Rektori Hajrizi.
Përveç këtij bashkëpunimi, UBT është duke ndërtuar partneritete të reja me industri të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare, duke hapur vende të reja të punës dhe duke iu mundësuar të rinjve të punojnë dhe të angazhohen në Kosovë.