Qindra fluturime u anuluan në aeroportet kryesore të Gjermanisë të enjten pasi stafi i sigurisë filloi një grevë njëditore për një mosmarrëveshje të vazhdueshme mbi pagat.
Greva ndaloi më shumë se 1 mijë e 100 fluturime në 11 aeroporte, duke përfshirë aeroportin ndërkombëtar më të ngarkuar të vendit në Frankfurt, duke prekur më shumë se 200 mijë pasagjerë.
Aeroporti i Frankfurtit tha se greva do të shkaktojë ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh gjatë gjithë ditës dhe këshilloi pasagjerët të mos vijnë në aeroport pasi pikat e kontrollit të sigurisë ishin të mbyllura.
Ndërprerje të mëdha dhe anulime fluturimesh priten gjithashtu në aeroportet Hamburg, Bremen, Hannover, Berlin, Këln/Bon, Dusseldorf, Leipzig/Halle, Dresden, Erfurt dhe Shtutgart.
Autoritetet kanë thënë se stafi i sigurisë në aeroportet e Mynihut dhe Nurembergut nuk do t’i bashkohet aksionit të grevës, megjithatë vonesat dhe anulimet e fluturimeve mund të jenë ende të mundshme, për shkak të ndërprerjeve mbarëkombëtare të operacioneve të fluturimeve.
Sindikata Ver.di kishte njoftuar grevën paralajmëruese në fillim të kësaj jave pasi raundi i tretë i negociatave kolektive me Shoqatën Federale të Kompanive të Sigurisë së Aviacionit (BDLS) nuk dha një rezultat.
Sindikata, e cila përfaqëson rreth 25 mijë staf sigurie, po kërkon një rritje pagash prej 2.80 € (3.02 dollarë) në orë, rritje të bonuseve dhe tarifa më të larta për pagën jashtë orarit./AA