Shumica e vendeve nuk kanë arritur të përballen me pabarazinë që u thellua edhe më tej për shkak të pandemisë, zbuloi të martën një raport i ri nga grupet jofitimprurëse Oxfam dhe Development Finance International (DFI).
Raporti, i quajtur angazhimi i 2022-ës për reduktimin e pabarazisë, rendit vendet midis viteve 2020 dhe 2022 në tre shtylla kyçe për reduktimin e pabarazisë. Tri shtyllat janë shpenzimet për mbrojtjen sociale, politikat tatimore dhe të punës, të cilat u tregojnë studiuesve se si ia dolën vendet në drejtim të mbylljes së hendekut midis të pasurve dhe të varfërve.
Studiuesit gjurmuan 161 vende për raportin dhe zbuluan se gjysma e vendeve me të ardhura të ulëta dhe të mesme të ulëta ulën shpenzimet shëndetësore gjatë pandemisë, ndërsa gjysma e vendeve shkurtuan shpenzimet për mbrojtjen sociale.
Më shumë se 90% e vendeve nuk i rritën taksat për njerëzit e pasur, pavarësisht se s’ishin edhe aq mirë me financa, thuhet në raport.
Norvegjia dhe Gjermania janë performuesit më të mirë
Norvegjia ishte vendi me performancën më të mirë, e vlerësuar nga performanca e përgjithshme e saj në politikat e mbrojtjes sociale, taksave dhe punës, e ndjekur nga Gjermania. Sipas gjetjeve të raportit, pas tyre renditen Australia, Belgjika dhe Kanadaja.
Të gjitha vendet në top 10 janë anëtarë të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OCED), një agjenci që përfaqëson ekonomitë kryesore të botës.
Nga ana tjetër, performuesit më të ulët janë të gjitha vendet me të ardhura më të ulëta, ku Nigeria dhe Sudani i Jugut renditen si ndër vendet me performancën më të dobët.
Koreja e Jugut dhe Senegali janë ndër vendet që bënë përmirësime të konsiderueshme për të luftuar pabarazinë duke përmirësuar shpenzimet në shërbimet publike dhe duke shpenzuar më shumë për mbrojtjen sociale.
Edhe një raport i Bankës Botërore i publikuar në fillim të këtij muaji tregoi se ekonomitë në zhvillim me më pak burime kanë bartur peshën kryesore të pandemisë globale COVID-19, sepse ato nuk arritën të shpenzojnë më shumë për të ndihmuar në rimëkëmbjen ekonomike.
Banka Botërore tha se viti 2020 pa kthimin më të madh të varfërisë globale në dekada./UBTNews/