Nigeria, Afrika e Jugut dhe qeveritë e tjera afrikane u përpoqën të hënën për të ndihmuar shtetasit e tyre t’i shpëtonin pushtimit rus në Ukrainë, ndërsa u shfaqën raporte për trajtim racist dhe të padrejtë të qytetarëve të tyre në pikat kufitare, përcjell UBT News.
Shtetasit afrikanë, shumë prej tyre studentë, janë në mesin e qindra mijëra njerëzve që përpiqen të ikin në Poloni dhe në vendet tjera fqinje.
Nigeria të hënën u bëri thirrje zyrtarëve kufitarë në Ukrainë dhe gjetkë që t’i trajtojnë qytetarët e saj në mënyrë të barabartë.
“Ka pasur raporte të policisë dhe personelit të sigurisë ukrainase që refuzojnë të lejojnë nigerianët të hipin në autobusë dhe trena që shkojnë drejt kufirit Ukrainë-Poloni”, tha këshilltari presidencial Garba Shehu në një deklaratë.
“Në një video që qarkullon gjerësisht në mediat sociale, një nënë nigeriane me foshnjën e saj të vogël u filmua duke u detyruar fizikisht t’i lëshonte vendin e saj një personi tjetër”.
Ai tha se ka gjithashtu raporte për zyrtarë polakë që refuzojnë shtetasit nigerianë të hyjnë në Poloni nga Ukraina, transmeton UBT News.
“Është parësore që të gjithë të trajtohen me dinjitet dhe pa favore”, tha Shehu.
Një grup afrikanësh, kryesisht studentë, kanë mbetur të bllokuar në kufirin ukrainas-polak, tha në Twitter zëdhënësi i ministrisë së jashtme të vendit, Clayson Monyela.
Ambasadori i Afrikës së Jugut në Varshavë ishte në vend duke u përpjekur t’i kalonte ata, sipas Monyelas, i cili të dielën kishte thënë se afrikanët po “trajtoheshin keq” në kufirin Polako-Ukrainë.
Ambasadorja e Polonisë në Nigeri, Joanna Tarnawska hodhi poshtë pretendimet për trajtim të padrejtë.
“Të gjithë marrin trajtim të barabartë. Mund t’ju siguroj se kam raporte që tashmë disa shtetas nigerianë kanë kaluar kufirin në Poloni”, tha ajo për mediat lokale.
Ajo tha se nigerianët mund të qëndrojnë për 15 ditë. Edhe dokumentet e pavlefshme po pranoheshin për të kaluar kufirin dhe kufizimet për Covid-19 u hoqën, shtoi ajo.
Disa nigerianë që dolën përtej kufijve përshkruan udhëtime të frikshme në errësirë për të arritur në kufijtë e mbushur me trafik, ku u detyroheshin të prisnin pasi zyrtarët u jepnin përparësi grave dhe fëmijëve ukrainas.
OKB-ja tha se më shumë se gjysmë milioni refugjatë nga Ukraina kishin kaluar deri më tani në vendet fqinje./UBTNews/