Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, gjatë prezantimit dhe diskutimit të Programit për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative, theksoi se ky dokument strategjik, është gjithëpërfshirës dhe praktik, i cili pritet të sjellë rezultate të mirëpritura dhe të shpejta.
Zëvendëskryeministri Bislimi tha po ashtu se programi do të ndikojë në kursimin financiar ashtu edhe në kohë si për qytetarët ashtu edhe për bizneset.
“Programi për parandalimin dhe zvogëlimin e barrës administrative është dokument strategjik, gjithëpërfshirës dhe praktik, që besojmë të sjellë rezultate të mirëpritura dhe të shpejta. Programi definon parimet, prioritetet dhe metodologjinë e punës si dhe mjetet për zbatimin e saj. Po ashtu, bën qartë përgjegjësitë institucionale prej secilit prej nesh. Marrë parasysh ngarkimin jo adekuat administrativ ndaj qytetarëve dhe bizneseve, ngarkim ky i ndërtuar ndër vite përmes një qasje të fragmentuar në politik bërje, zbatimi i veprimeve të planifikuara në këtë program apo strategji do të ndikojnë në kursimin si financiar ashtu edhe në kohë si për qytetarët ashtu edhe bizneset. Do të kontribuojnë drejt një mjedisi më të mirë të të bërit biznes si dhe do të lehtësojë punën edhe të shërbyesve civilë në administratën tonë publike”, tha ai.
Në këtë diskutim të organizuar nga Zyra për Planifikim Strategjik, në kuadër të Zyrës së kryeministrit, Bisilimi tha se janë tri dokumente të rëndësishme për lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga administrata.
“Paralel me programin që po diskutojmë sot, në diskutim publik kemi vënë edhe dy dokumente të tjera të rëndësishme, Strategjinë kombëtare për zhvillim 2030 dhe Strategjinë për reforma në administratën publike 2022-2026. Në fakt në kemi vendosur në diskutim publik edhe Strategjinë për energjinë, mirëpo këto tri dokumente janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën në një pikë, e ajo ka të bëjë me lehtësimin e marrjes së shërbimeve nga ana e administratës publike. Prandaj, kërkoj të na ofroni sa më shumë komente dhe ide për këto tri dokumente të rëndësishme për qeverisjen tonë”, theksoi Bislimi.
Bislimi më tej tha se nga përgjegjësia e detyrës së tij si zëvendëskryeministër, ka garantuar vendosmërinë dhe angazhimin e Qeverisë për një reformë efektive të administratës publike për një zbatim sa më të mirë dhe në kohë të këtij programi.
Më tej plani i veprimit do të ketë kosto dhe buxhet që mundëson financim të qëndrueshëm nga ana e burimeve qeveritare, por edhe partnerëve zhvillimor.
Qeveria ka përgatitur edhe aplikimin për mbështetje buxhetore nga Bashkimi Evropian në kuadër të IPA 23, dhe pasi të përmbyllet negocimi me BE-në, qeveria synon të përftoj drejtpërdrejt në buxhetin e Kosovës një shumë të caktuar të fondeve financiare. Megjithatë përfitimi i këtyre fondeve kushtëzohet nga zbatimi i suksesshëm I këtij programi përkatësisht nga arritja e objektivave vjetore ët cilat do të përcaktohen gjatë negocimit me partnerët nga BE.