Është inauguruar sot Forumi për Komunitetet jo-shumicë, ky synohet mbështetja qeveritare ndaj komuniteteve jo shumicë në shumë fusha.
Zëvendëskryeministrja e Kosovës për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, tha se ky takim do të shërbejë si platformë për fuqizimin e komuniteteve jo shumicë. Ajo po ashtu tha se ka nënshkruar memorandum bashkëpunimi ndërmjet së Kosovës dhe ICO Kosovo Limited, i cili do të avokojë për zhvillimin ekonomik në zonat ku jetojnë komunitetet jo shumicë. Rexhepi tha se në vitet 2024-2030, planifikohet të investohet rreth 300 milionë euro për komunitetet jo shumicë.
“Planifikojmë të investojmë 300 milionë euro në zhvillim ekonomik në komuna ku jetojnë komunitetet jo shumicë. Kjo do të rrisë strategjinë e pajtimit mes popujve të ndryshëm. Po ashtu është edhe përkrahja e zhvillimit ekonomik çështja kyçe për stabilitet dhe bashkëpunim ekonomik dhe jetë të përbashkët për të gjithë popujt në Kosovë. Me këtë marrëveshje hapim derën ndaj inovacioneve të shumta dhe mundësive të cilat do të formësojnë shtetin tonë në vitet e ardhshme. Jemi të fokusuar avancimin e ekonomisë lokale dhe ky projekt, veçanërisht thekson përkrahjen ndaj sipërmarrjen e voglave dhe të mëdha, hapjen e vendeve të reja të punës dhe fabrikave të reja. Zhvillimi ekonomik në të gjitha rajonet e Kosovës, nga Leposaviqi deri te Dragashi. Së bashku me ICO jemi duke punuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe përkrahjen ndaj iniciativave teknologjike që kanë rëndësi thelbësore në modernizimin e ekonomisë sonë”, theksoi ajo.
Në anën tjetër, përfaqësuesi i ICO Kosovo Limited, Jemes Holmes, duke folur për memorandumin e bashkëpunimit me ekzekutivin, tha se njëjta do të mundësojë mbështetjen më të madhe ndaj komuniteteve jo shumicë.
“Roli ynë këtu është të përkrahim qeverinë dhe të gjithë ju që jeni këtu. Kur i hyjmë këtyre nismave që mendojmë se janë shumë interesante, roli ynë do të jetë përkrahës dhe shpresojmë se ky forum të marrë timonin dhe ne të përkrahim. Puna që punojmë është gjithmonë brenda kushtetutës së Kosovës dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Kjo kushtetutë dhe ato ligje përcaktojnë një varg të drejtash dhe të mundësive. Ne mund të kemi një rol të vogël për të zhvilluar atë më tutje. Ne si ICO do t’i përkrahim juve. Nëse e shikojmë marrëveshjen që është nënshkruar sot, kjo marrëveshje flet për avokimin e të drejtave për komitetet jo shumicë dhe kjo marrëveshje flet për promovimin e këtyre të drejtave. Flet për të sjellë vendimmarrjen më afër njerëzve”, deklaroi ai.
Zëvendëskryeministrja, Emilija Rexhepi, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës nënshkroi sot Memorandum të Mirëkuptimit me Organizatën Ndërkombëtare të Komuniteteve (International Communities Organization).
Sipas tyre, ky memorandum do të shërbejë si bazë e investimeve me qëllim krijimin e vendeve të reja të punës me fokus te komunitetet jo shumicë, ngritjen e projekteve infrastrukturore dhe fuqizimin e ndërmarrjeve në qëllim të rritjes së stabilitetit në komuna.