Qeveria e ka miratuar një vendim për emërimin e një komisioni ‘ad hoc’ që do ta zgjedhë drejtorin ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Komisioni përbëhet prej pesë anëtarëve.
Kryeministri Albin Kurti nuk foli për përbërjen e këtij komisioni, por tha se ai do të angazhohet “për vlerësimin profesional për pranim për pozitën e lartë të kategorisë drejtuese”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla tregoi se MPB-ja ka hapur rekrutimin për këtë pozitë.
“Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur rekrutimin për pozitën e drejtorit ekzekutiv të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave në pajtim me legjislacionin në fuqi, me të cilin komisioni ‘ad hoc’ do të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e përcaktuara në ligjin për zyrtarët publikë dhe rregulloren për procedurën e pranimit në shërbimin civil”, tha ai.
Kjo ishte pika e fundit e rendit të ditës, e cila nuk u përmend në faqen e Zyrës së Kryeministrit. Ky propozim-vendim është futur në pikën “të ndryshme”.