Qeveria suedeze ka njoftuar masa të reja për shtrëngimin e ligjeve për armët, pas një sulmi masiv në një qendër arsimore për të rritur në Örebro, ku një 35-vjeçar i armatosur vrau dhjetë persona përpara se të vetëvritej. Sulmuesi, i identifikuar si Rickard Andersson, kishte në posedim armë të licencuara, por autoritetet nuk kanë gjetur ende prova që sulmi kishte një motiv ideologjik.
Qeveria ka rënë dakord me parlamentarët e ekstremit të djathtë për të forcuar verifikimet mbi personat që kërkojnë licencë për armë gjysmë automatike. Po ashtu, planifikohet kufizimi i aksesit në armën AR-15, e cila është përdorur shpesh në sulme masive në Shtetet e Bashkuara. Një tjetër masë e propozuar është përmirësimi i shkëmbimit të informacionit mes policisë dhe institucioneve shëndetësore për të parandaluar që personat me probleme mjekësore të kenë qasje në armë.
Kryeministri Ulf Kristersson deklaroi se duhet të sigurohet që vetëm personat e përshtatshëm të kenë armë në Suedi. Ndërkohë, opozita socialdemokrate e ka mbështetur masën, por ka kërkuar kontrolle më të rrepta dhe masa më gjithëpërfshirëse për parandalimin e dhunës me armë./UBTNews/