UBT News

Qeveria s’iu përgjigjet pyetjeve të deputetëve që s’po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bashkë me kabinetin qeveritar kanë refuzuar t’iu përgjigjen pyetjeve parlamentare të deputetëve opozitarë, të cilët nuk po i votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

Në seancën e sotme plenare në Kuvend, e cila ka pyetjet parlamentare si pikë të vetme të rendit të ditës, Kurti tha se të gjitha përgjigjet e pyetjeve i ka të përgatitura, mirëpo nuk do t’i jep të njëjtat për deputetët që nuk po votojnë marrëveshjet ndërkombëtare.

“Për shkak se nuk po i votoni marrëveshjet ndërkombëtare të gjithë deputetët që i bëjnë pyetjet nuk do të kenë përgjigjen time edhe pse tash e kam të përgatitur. Duhet të jemi kolegë të të njëjtit shtet dhe jemi të të njëjtit shtet nëse behet fjalë për mbrojtjen dhe përfaqësimin e interesit publik dhe shtetëror. Nuk ka pasur kryeministër në Kosovën e pavarur që iu është përgjigjur më shpesh dhe më me përpikëri pyetjeve parlamentare. Nga 377 marrëveshje ndërkombëtare që unë kur isha opozitë parlamentare kanë kaluar këtu vetëm tri prej tyre nuk janë votuar, 374 janë votuar. Rrjedhimisht atëherë kur do të kemi deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës vetëm atëherë do të përgjigjem në pyetje parlamentare se sigurohem se bëhet fjalë për Parlamentin e Kosovës. Nuk mund t’i bësh pyetje parlamentare kryeministrit dhe ta dëmtosh shtetin në masën e përgjithshme 360 milionë euro nga ajo një dysinë marrëveshje ndërkombëtare që ju refuzoni të votoni”, tha ai.

Pasi nuk iu përgjigj pyetjes së saj për njohjen nga Greqia, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj kritikoi Kurtin për qasjen e tij ndaj opozitës, derisa edhe akuzoi se po e shkatërron vendin.

“Mirë që të kemi gjetur edhe një kauzë. Por a e ke votuar ti marrëveshjen e MSA-së. O Albin Kurti po edhe me pas ndërmend me votu kur del në këtë formë të turpshme para parlamentit. Dje je dal me një elaborat në situatën në të cilën gjendet Kosova ti e akuzon opozitën. Nuk votoj. Mos u përgjigj, pasi ti je këtu të shkatërrosh shtetin e Kosovës”, theksoi ajo.

Ndërkaq, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, këtë veprim të kabinetit qeverisës e kualifikoi si tendencë për diktaturë dhe vendosje e kushteve ndaj të zgjedhurve të popullit.

“Se qeveria është moti në cirk e kemi kuptuar, se ka gjeneruar gjithçka në këtë vend e kemi kuptuar. Por që shkon deri në këtë shkallë se beson askush. Me ardhë qeveria me na vendosë kushte në parlament të zgjedhurve të popullit, kjo është diktaturë. Por nuk do të lejojmë të instalohet diktatura këtu”, tha Musliu.

Në anën tjetër, ministrat vazhduan t’iu përgjigjen pyetjeve të deputetëve të mazhorancës.

Deputetët e PDK-së dhe AAK-së qe disa seanca me radhë po refuzojnë të votojnë marrëveshjet ndërkombëtare. 

Exit mobile version