Qeveria e Kosovës e përshëndeti miratimin e sotëm nga Parlamenti Evropian të raportit për Kosovën, i cili evidenton suksese dhe mesazhe pozitive për vendin.
Forcimi i demokracisë, sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik dhe maturia institucionale e qeverisëse, janë vetëm disa nga shembujt e përmendur në këtë raport.
Sipas një komunikate për media, qeveria vlerësoi se në lidhje me procesin e dialogut, i bazuar në njohjen reciproke, “Kosova vlerësohet si palë e përkushtuar dhe e angazhuar në mënyrë konstruktive”. Ndërkohë, bëhet e ditur se dënon Serbinë “për veprimet përshkallëzuese të aktorëve të sponsorizuar nga ta, duke përfshirë bllokadat e paligjshme, sulmet e dhunshme dhe kërcënimin për veprime ushtarake, si dhe fushatën e tyre të çnjohjes dhe votën kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës”.
Raporti, sipas qeverisë, lavdëron Kosovën për aktivitetin e shtuar legjislativ në lidhje me reformat e agjendës evropiane dhe përparimin në zbatimin e prioriteteve të Agjendës së Reformave Evropiane II dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.
“Theksohet dhe se Parlamenti Evropian mirëpret aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE, duke bërë thirrje për prezantimin e pyetësorit dhe përgatitjen e opinionit mbi aplikimin dhe rithekson mbështetjen për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, si Këshilli i Evropës, PFP e NATO-s dhe INTERPOL. Mirëpret periudhën më të gjatë të stabilitetit politik deri më tani pas zgjedhjeve të vitit 2021. Në raport kërkohet nga shtetet anëtare, që nuk e kanë njohur ende Kosovën, ta bëjnë këtë pa vonesë të mëtejshme”, u bë e ditur në komunikatë.
Sipas qeverisë, në raport evidentohet dhe mirëpritet veçanërisht angazhimi dhe dialogu i shtuar me serbët e Kosovës gjatë vitit të kaluar.
“Në mes të tjerash, në zhvillim ekonomik vlerëson pozitivisht përformancën e jashtëzakonshme të eksportit, rritjen ekonomike si dhe politikat për të lehtësuar ndikimin e pandemisë dhe të çmimeve të larta të energjisë për familjet dhe bizneset më të prekura”, u bë e ditur tutje në komunikatë.