Partia në pushtet, LVV-ja ka postuar në rrjetin social Facebook disa nga prioritetet e kësaj Qeverie në aspektin e punësimit në Kosovë.
Sipas të njejtës kjo Qeveri si masë në kuadër të ringjalles ekonomike ka ndarë 50 milionë euro për çështjen e punësimit.
Shikoni më poshtë si është bërë ndarja:
1/5 e masave për ringjalljen ekonomike, prezantuar nga Qeveria e Kosovës
Me prezantimin e pakos për ringjalljen ekonomike, qeveria e Kosovës ka treguar se për prioritet ka çështjen e punësimit. 50 milionë euro janë ndarë për krijimin e vendeve të reja të punës dhe për mbështetjen e drejtpërdrejt të punëkërkuesve.
- 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për të gjithë ata dhe ato që kanë humbur vendin e tyre të punës përgjatë periudhës mars 2020 − prill 2021. Për çdo të ri të punësuar qeveria do ta subvencionoj pagën në 3 muajt e parë në vlerë prej 170 euro në muaj.
- 10 milionë euro qeveria do t’i ndajë për mbështetjen e secilit të punësuar të ri që nuk ka qenë i punësuar në 3 muajt e fundit e që deklarohet në ATK. Secilit prej tyre do t’iu paguhen kontributet pensionale në vlerë prej 10% të pagës për 12 muaj me radhë.
- 5 milionë euro për ta mbështetur punësimin e grave. Secilës grua që nuk ka qenë e punësuar në 3 muajt e fundit, e që punësohet, do t’i subvencionohet 50% e pagës për 3 muajt e parë, deri në maksimumin prej 150 euro në muaj. Pas periudhës tremujore, do të subvencionohet kontributi pensional.
- 10 milionë euro për ta filluar qysh këtë vit skemën e punësimit të garantuar për të rinjtë e moshave 18-24 vjeç, ku secilit të ri do t’i garantohet puna e parë, e subvencionuar nga shteti në nivelin e pagës minimale.
- 5 milionë euro për mbështetjen e trajnimeve dhe punësimit në TI. Për të orientuar talentet e reja drejt fushës së TI-së, do të ndahen kuponë me anë të të cilëve mund të ndiqen kurse për TI, apo trajnime në praktikë. Atyre që përfundojnë kursin apo trajnimin me sukses, do t’u ofrohet mbështetje në punësim për 3 muajt e parë.
- 5 milionë euro për punësimin e personave me nevoja të veçanta. Në funksion të arritjes së synimit për një shtet të barabartë për të gjithë, qeveria e Kosovës do ta mbështes secilin të punësuar me aftësi të veçanta me 50% të pagës, deri në maksimum 150 euro në muaj. Mbështetja do të bëhet për 6 muajt e parë.
– 5 milionë euro për skemën e granteve për zanatet. Me qëllim të adresimit të shkallës së lartë të papunësisë në vend si dhe aftësimit profesional në zanate, qeveria do t’i mbështesë me grante për vetëpunësim të gjithë ata që janë të gatshëm të mësojnë aftësi të reja, për të cilat do të certifikohen. Vlera e këtyre granteve arrin shumën deri në 3,000 euro, ku granti do të mbulojë blerjen e pajisjeve dhe themelimin e biznesit, pas përfundimit të trajnimit me sukses dhe certifikimit.