Qeveria e Kosovës po pret që të bëhet vlerësimi i situatës në veri nga organet e sigurisë për hapat e mëtejmë në lidhje me zgjedhjet në katër komunat veriore.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu në një postim në Facebook shkroi se pas dorëheqjes së kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, është obligim kushtetues që të mbahen zgjedhjet atje. Ai shprehu gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtjen e zgjedhjeve.
“Institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar gatishmërinë për të ofruar kushtet e nevojshme për mbarëvajtje të zgjedhjeve. Zgjedhjet janë manifestim i fuqishëm i demokracisë. Pengimi apo pamundësimi i tyre është sulm ndaj demokracisë. Pas dorëheqjeve të kryetarëve të katër komunave në veri të vendit, mbajtja e tyre tashmë është obligim kushtetues i institucioneve të Republikës. Qytetarët tanë atje kanë nevojë për përfaqësim direkt të tyre. Institucionet kanë nevojë për drejtues legjitim të tyre. Bandat kriminale mund edhe mos të marrin pjesë në zgjedhje, por ato nuk mund ta diktojnë mbajtjen apo jo të zgjedhjeve demokratike. Aktet e dhunës dhe veprimet kriminale duhet të dënohen njëzëri. Presim vlerësimin e situatës në veri nga organet tona të sigurisë për hapat e mëtejmë”, shkroi Kryeziu në Facebook.
Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier deklaroi sot se nuk janë krijuar kushtet për mbajtjen e zgjedhjeve në veri. Reagimi i tij erdhi pas ngjarjeve të djeshme në veri, për shkak se ka pasur të shtëna dhe shpërthime nga strukturat ilegale serbe, ku pritej të bëhej zëvendësimi i zyrtarëve të KQZ-së./UBTNews/