Qeveria e Kosovës nuk do të vazhdojë më të mbulojë shpenzimet për konsumin e energjisë elektrike në komunat veriore të vendit.
Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli theksoi se që prej vitit të kaluar, i është dhënë fund pagesës së faturave të energjisë elektrike për këto komuna. Ajo në një konferencë për media theksoi se Serbia po e saboton zbatimin e marrëveshjes për energji, Udhërrëfyesin për energjinë.
“Sa i përket mbulimit të konsumit të energjisë për komunat veriore të vendit, kemi pasur një Udhërrëfyes vitin e kaluar me një afat prej 100 ditësh, ne kemi thënë me atë rast se pagesat e fundit që do të bëhen nga buxheti i Kosovës do të jenë deri në afatin e zbatimit të kësaj marrëveshje. Kemi pasur kërkesa të vazhdueshme nga KOSTT-I që nga ajo kohë, mirëpo nuk kemi ndarë mjete shtesë si qeveri. Ne kemi bërë të qartë për të gjitha palët se një mënyrë e tillë e funksionimit nuk mund të vazhdojë. Sigurisht që ne si institucione dhe të gjithë operatorët, qoftë KOSTT, KEDS-, ZRRE, i kemi kryer detyrat tona në afate të duhura sipas kësaj marrëveshje. Ndërsa, nga pala tjetër (Serbia) kemi pasur sabotim dhe zvarritje, mirëpo me kërkesën e ndërmjetësuesve ne kemi vazhduar të diskutojmë shqetësimet. Mirëpo, pa bërë kompromise shtesë apo ndryshim të kësaj marrëveshje dhe e kemi bërë të qartë që verzioni I fundit I kontratës I cili është dërguar “Elektroseverit”, disa muaj më parë, është verzioni i fundit të marrëveshjes, i cili duhet të nënshkruhet nga ata. Dje, operatori I distribucionit ‘KEDS-I” i ka I ka dërguar kërkesën e fundit për nënshkrim të kompanisë “Elektrosever” dhe presim që kjo të ndodhë shpejt, brenda ditësh. Nëse jo, atëherë sigurisht që duhet ti shohim të gjitha opsionet e tjera për të adresuar këtë çështje”, theksoi ajo.
Ministrja Rizvanolli në konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë theksoi se një kredi prej 15 milionë eurosh shtesë për Telekomin e Kosovës do t’i shfrytëzojë për investime në rrjetin mobil dhe fiks.
“Sot në qeveri e miratuam edhe një kredi prej 15 milionë eurosh shtesë për Telekomin e Kosovës, me të cilat mjete Telekomi I Kosovës do të bëjë investime në rrjetin mobil dhe atë fiks për të vazhduar investimet që tani më i ka filluar me kontratën e nënshkruar prej 13 milionë eurosh në vitin e kaluar… Telekomi do të vazhdoj të investoj në pajisje të tjera, deri te zbatimi i plotë i rrjetit të gatshëm për 5 G”, theksoi Rizvanolli.
Në mbledhje janë miratuar edhe propozim-vendimi për aprovimin e ndarjes buxhetore për subvencionim të ndërtimit të shtëpive për komunitetet joshumicë, kërkesën e Ministrisë së Financave për lirim zero nga Tatimi Doganor dhe atë për Normën e Tatimit të Akcizës.
Qeveria po ashtu ka miratuar edhe propozim-vendimet për themelimin e ndërmarrjeve publike lokale “Dardana Sh. A. Kamenicë” dhe “Eko-Llapi Sh.A. Podujevë”, si dhe “Eko-?Theranda Sh. A.”