UBT News

Qeveria: Në dialogun me Serbinë do të kërkohet konsensus

Qeveria: Në dialogun me Serbinë tema e parë fati i të pagjeturve.

Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti do ta udhëheqin dialogun me Serbinë në koordinim dhe këshillim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara atje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar për klankosova.tv se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i koncentruar në përmbajtje dhe jo në afate kohore.

“Dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime dhe me synime të qarta dhe të dakorduara në mes palëve të përfshira aty. Dialog i koncentruar në përmbajtje, e jo afate kohore. Qeveria dhe kryeministri Kurti do të udhëheqë me dialogun. Këtë do ta bëjë duke u koordinuar dhe këshilluar me presidenten Osmani, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara aty”.

Kryeziu ka theksuar se përbërja e delegacionit të Kosovës do të bëhet duke u bazuar nga temat e diskutimit, duke shtuar se dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus.

Sa i përket ekipit, ai do të caktohet varësisht nga temat e diskutimit, sipas fushave të përgjegjësisë dhe të ekspertizës. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin. Dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus. Tema e parë duhet të jetë fati i personave të pagjetur, ka thënë Kryeziu.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe ende nuk dihet se kur do të rifillojë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk e ka bërë të ditur datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur në një kohë të përshtatshme.

Ai në një deklaratë dhënë ditë më parë për Klankosova.tv ka thënë se “BE-ja dhe shtetet anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për të sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”.

Exit mobile version