Ekzekutivi ndau 100 euro shtesë për muajin tetor për pensionistët, derisa edhe ndryshuan Projektligjin për kodin penal dhe atij për procedurën penale, ku ashpërsohen dënimet për veprat penale, dhunim, ngacmim seksual dhe dhunë në familje.
Duke e prezantuar mbështetjen ndaj pensionistëve, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bisilimi tha se kjo shumë është e njëhershme dhe kosto e saj është mbi 28 milionë euro.
“Në kuadër të pakos për t’u përballë me inflacionin që kemi dizajnuar muajin e kaluar, kemi paraparë edhe mbështetjen për pensionistët. Për pensionistët ka marrë formën e një shume të njëhershme prej 100 eurove, e cila do të transferohet në llogari të tyre gjatë këtij muaji. Për këtë qëllim duhet të ndahen mjete buxhetore në vlerën 28 milionë e 208 mijë euro”, tha ai.
Nga ana tjetër, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e vlerësoi si të domosdoshme plotësim-ndryshimin e Ligjit për kodin penal dhe atij për procedurën penale.
Ajo tha se personi që kryen dhunë, ngacmim seksual dhe dhunë në familje do të ketë ndalimin e të drejtës së kandidimit në çdo pozitë publike nga 3 deri në 10 vjet, po ashtu do të ketë të drejt ndalimin e të drejtës së përfitimit të automjetit dhe drejtimin e tij.
“Si nevojë dhe domosdoshmëri urgjente për ndryshimin e masave ndëshkuese për veprat penale të dhunimit, sulmit seksual, po ashtu edhe dhunës në familje, duke marrë parasysh trendin shqetësuese në rritje të këtyre rasteve. Për këtë shkak Ministria e Drejtësisë në procedurë të përshpejtuar ka marrë hapat e nevojshme për rishikimin e masave për kryesitë e veprave penale që i ceka më lartë, pasi po konsiderohet se në kodin aktual nuk janë të mjaftueshme”, tha ajo.
Ndërsa, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se përveç ashpërsimit të sanksioneve penale për kryerësit e këtyre veprave penale, ata nuk duhet të mbeten të lirë gjatë procedurave penale.
Andaj tha se është i nevojshëm miratimi edhe i Projektligjit për procedurën penale.
“Përveç domosdoshmërisë për ashpërsim të sanksioneve penale për kryerësit e veprave penale të dhunimit, dhunës seksuale dhe dhunës në familje është e nevojshme dhe domosdoshme rishikimi i procedurës penale për këto vepra. Dhunuesit nuk munden të mbeten të lirë gjatë procedurës penale”, theksoi kreu qeveritar.
Ndërkohë, miratuan edhe Projektligjin për plotësim-ndryshimin e ligjit për trajtimin e ndërtimeve paleje.
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Librun Aliu, tha se përmes saj synohet vazhdimi i afteve për legalizim.
“Përmes këtij projektligji synohet vazhdimi i afateve për legalizim dhe ofrimit të kohës shtesë për programet qeveritare për trajtimin e objekteve të përfshira në listën e pritjes. Po ashtu përmes këtij ndryshimi synohet të vazhdohet zbatimi i një politike të re të qeverisë për ndërtimin pa leje”, tha ai.
Krahas kësaj, Aliu bëri të ditur se do të fillojnë edhe procedurën e shpronësimit në rrugën Prishtinë-Podujevë.
Në mbledhjen e sotme, qeveria ndau edhe 35 mijë euro për Luginën e Preshevës.
Ndërkohë, themeluan edhe një grup punues për përmbushjen e parakushteve që rrjedhin nga marrëveshja me MCC-në.