E përditësuar
13:28 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka deklaruar se ndërhyrjet e Serbisë në procesin zgjedhorë në Kosovë janë më të rënda sesa të Rusisë në Evropë.
Kjo deklaratë e Kurtit vjen pasi që presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq premtoi 400 vende pune për serbët në Kosovë.
Në mbledhjen e sotshme të Qeverisë në detyrë, Kurti tha se joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimin dhe shantazhin e beneficioneve sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish kryeministri i Serbisë, siç ka bërë edhe vet presidentit Vuçiq janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë.
Tutje, Kurti tha se ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit.
“Nuk kanë se si të cilësohen ndryshe përveçse ndërhyrje në procesin zgjedhor komunal të tetorit në Republikën e Kosovës. Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimin dhe shantazhin e beneficioneve sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundmi ish-kryeministri i Serbisë, siç ka bërë edhe vet presidentit Vuçiq janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në procesin zgjedhor në Kosovë. Misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE-së në zgjedhjet parlamentarë të 9 shkurtit 2025 kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet tona. Ndërhyrjet në zgjedhjet e shteteve tjera janë forma të cenimit të demokracisë dhe sovranitetit të atij shteti”, tha Kurti.
Kurti, shtoi se misioni për vëzhgimin e zgjedhjeve i BE-së në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit kishte evidentuar ndërhyrjen e Serbisë, e sipas tij arsyeja pse Serbia nuk po ndryshon sjellje është se nuk është dënuar nga BE-ja për këtë çështje.
Ai bëri thirrje BE-së që të dënoj ndërhyrjen e Serbisë në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionoj atë për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkeljes së marrëveshjes bazë të Brukselit.
“Serbia nuk ka pasur asnjë pasojë nga Bashkimi Evropian, andaj Serbia nuk po ndryshon sjellje. Kjo ndërhyrje që bën Serbia tani në zgjedhjet në Kosovë, është edhe më e rëndë sesa ajo e Rusisë në Evropë. I bëjmë thirrje BE-së që të dënon ndërhyrjen e Beogradit Zyrtarë në zgjedhjet demokratike në Kosovë dhe të sanksionoj Serbinë për veprimet të cilat bien ndesh me parimet e fqinjësisë së mirë dhe shkelin marrëveshjen bazë të Brukselit”, tha Kurti.
Vuçiq një ditë më parë përmes manipulimit elektoral u mor me zgjedhjet lokale në Kosovë që do të mbahen më 12 tetor, ku garon Lista Serbe – dorë e zgjatur e regjimit të tij.
Ai pretendoi se vetëm brenda 10 ditësh do të hapin “400 vende pune”./D.B/KP
13:17 – Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka deklaruar se, pavarësisht bllokimit të formimit të institucioneve pas zgjedhjeve të shkurtit, ekonomia e vendit ka vazhduar të shënojë rritje.
Sipas tij, rritja ekonomike ka arritur në 4.58 për qind të bruto produktit vendor.
“Përderisa formimi i institucioneve të reja nga zgjedhjet e 9 shkurtit ende mbahet pezull, ekonomia e vendit vazhdon të rritet duke shënuar një rritje 4.58% të bruto produktit vendor në tremujorin e dytë të këtij viti”, tha Kurti.
Kurti ka njoftuar gjithashtu për një masë të re financiare që përfshin të gjithë studentët, duke theksuar se secilit prej tyre do t’u ndahen nga 100 euro mbështetje e menjëhershme./D.B/EO
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur të martën ka miratuar vendimin për ndarjen e bursave të mobilitetit për studentët e nivelit bachelor, që do të kapin vlerën prej 20 milionë eurosh për një vit.
Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e shumës prej 100 eurosh për çdo student që plotëson kriteret për përfitim.
Nga aty kryeministri në detyrë, Albin Kurti tha se kjo mbështetje nuk mbaron me kaq.
“Nga 100 euro shumë e menjëhershme për të gjithë studentët. Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq. Sot do të merret vendimi edhe për bursën e mobilitetit për studentët ‘bachelor’, ndërsa shuma e mbështetjes do të varet nga distanca e vendbanimit”, theksoi Kurti.
Ministri në detyrë i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, tha se kjo masë do të ketë një kosto buxhetore prej rreth 6 milionë eurosh.
“Kemi të bëjmë me ndarjen për shumën e menjëhershme për studentët që plotësojnë kriteret, në vlerë prej 100 eurosh. Kjo masë parasheh që të ketë kosto prej rreth 6 milionë eurove,” tha Murati./D.B/EO