Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për të ndarë mjete buxhetore për subvencionimin e ndërtimit te shtëpive për komunitetet joshumicë.
Kryeministri Albin Kurti tha se ky projekt pati filluar tri vjet më parë nga ish-Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se një pjesë e madhe e shtëpive që kishin nisur të ndërtoheshin kanë mbetur në gjysmë. Tutje Murati, deklaroi se tani këto projekte do t’i vazhdojnë ata.
“Për shkak të problemeve që ka pasur qysh në dizajn të projektit dhe pastaj në mbarëvajtje të punëve, është ndërprerë dhe kemi një situatë të trashëguar e kësisoj një pjesë e madhe e këtyre shtëpive të cilat kanë nisur të ndërtohen kanë mbetur në gjysmë”, tha ai.
“Në mënyrë që të mundësohet përfundimi i punëve, ne kemi marrë parasysh nevojën për të mbështetur pjesën e mbetur që ka qenë e paraparë me kontratë në mënyrë që familjet të kenë mundësi që t’i kryejnë vet këto investime me mbështetjen e Qeverisë”.