Qeveria ka ndarë mbi 12 milionë euro në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike, ku prej tyre janë mbi 1 milion euro për shëndetësi, 6.5 milionë euro për arsim dhe mbi 4 milionë euro për mbështetje të Trepçës. Në mbledhjen e sotme është vendosur që të shkarkohet bordi i drejtorëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini” dhe emërimi i bordit të përkohshëm të drejtorëve.
Përveç kësj kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se shuma për subvencionimin e teksteve shkollore është mbi shtatë milionë euro, për çka u votua propozimi për ndarjen e këtyre mjeteve.
“Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka sjellë për aprovim kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Inovacionit për ndarjen e mjeteve buxhetore në shumë prej 7 milionë e 375 mijë e 138 euro deri në 25 për qind të ndarjes së ndikuar negativisht për vitin 2024 për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore për vitin shkollor 2024/2025”, deklaroi ai.
Në mbledhjen e sotme të qeverisë janë ndarë mbi 12 milionë euro në kuadër të pakos së ringjalljes ekonomike.
“Kemi të bëjmë me një ndarje në vlerë prej 12.3 milionë euro, mjete që merren nga pako e ringjalljes ekonomike dhe zbatohen apo shfrytëzohen për zbatimin e masës 4.1 që është mbështetja e shëndetësisë, më saktësisht shuma prej 1,77 milionë euro në mënyrë që të mundësohet blerja e pajisjeve dhe investimet shtesë për funksionalizimin e Poliklinikës në Podujevë, gjithashtu 6. 5 milionë euro ndahen tek Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në kuadër të masës 4,2, pra mbështetja e arsimit, për subvencionimin e materialeve dhe teksteve shkollore si dhe pjesa tjetër prej 4 milionë e 14 mijë euro ndahet në Ministrinë e Ekonomisë në kuadër të masës 4.6, mbështetja e ndërmarrjeve publike përkatësisht minierat e Trepçës”,deklaroi ai.
Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka shkarkuar bordin e drejtorëve të kompanisë rajonale “Hidrodrini”, i cili ofron shërbime të ujit për Pejën, Istogun, Klinën, Deçan, Junik.
“Për shkak të veprimeve që vënë në pikëpyetje besueshmërinë e vendimmarrjes, Ministria e Ekonomisë propozon shkarkimin dhe zëvendësimin e bordit të drejtorëve”, tha ai.
Anëtarët e bordit të përkohshëm do të jenë: Qendresa Kukaj kryesuese, Mirjeta Heta anëtare, Samir Lleshi anëtar dhe Noli Carabreku anëtar.
Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se rregullorja për procedurat dhe kriteret e vlerësimit dhe njohjes së statusit dhe të drejtave të personave paraplegjikë dhe tetraplegjikë është akt nënligjor i cili synon një procedurë më të shkurtër, të saktë dhe llogaridhënëse të vlerësimit për personat me aftësi të kufizuara.
“Ndryshimet që parashihen të sillen me këtë rregullore të përmbledhura mund të përmblidhen si në vijim: është procedura e vlerësimit e cila shkurtohet dhe vlerësimi duhet të kryhet më së largu deri në 45 ditë nga data e paraqitjes së kërkesës. Është gjithashtu edhe evitimi i ri-vlerësimeve për dallim nga rregullorja e kaluar ku njohja e statusit për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë bëhej për pesë ose tri vite dhe pastaj duhet rivlerësuar, tani më këto rivlerësime janë evituar, si dhe është edhe ndryshimi i komisionit vlerësues, i cili për dallim nga rregullorja e kaluar kur angazhimi i mjekëve nëpër komisione vlerësuese është bërë në mënyrë ad-hoc, tani nëpërmjet rregullores së re synohet themelimi i një trupe profesionale ku të njëjtit do të kenë kontinuitet të punës”, deklaroi Murati.
Në mbledhjen e sotme të kabinetit qeveritar është vendosur që të kërkohet nga presidentja për dhënien e autorizimit për ministren e Drejtësisë për nënshkrimin e marrëveshjes për ekstradim ndërmjet Kosovës dhe Francës.
Në mbledhjen e kabinetit qeveritar, po ashtu janë ndarë 1 milion e 999 mijë euro për përkrahjen e ndërmarrjeve mikro të vogla dhe të mesme për blerjen e makinerive prodhuese dhe përpunuese./UBTNews/