UBT News

Qeveria ndan edhe 1 milion euro për Fondin e Kosovës për Efiçiencë të Energjisë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe drejtoresha menaxhuese e Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë, Njomza Hoxha, kanë nënshkruar marrëveshjen për transferimin e 1 milion eurove në mbështetje të veprimtarisë së Fondit dhe avancimit të objektivave në fushën e efiçiencës së energjisë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Ekonomisë, përmes kësaj marrëveshjeje Qeveria synon të mbështesë uljen e konsumit të energjisë, përdorimin më efikas të saj dhe përmirësimin e kushteve të jetesës së qytetarëve përmes investimeve afatgjata.

Në njoftim bëhet e ditur se që nga viti 2019, Qeveria e Kosovës ka ndarë gjithsej 10 milionë euro për mbështetjen e Fondit dhe zgjerimin e masave për efiçiencën e energjisë në vend.

Përkrahja është realizuar përmes ndarjeve buxhetore, por edhe bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë për sigurimin e financimit shtesë dhe zgjerimin e programeve që përfshijnë familjet, ndërtesat shumëbanesore dhe institucionet publike.

Investimet e Fondit përfshijnë rinovimin e ndërtesave publike, shtëpive individuale dhe ndërtesave shumëbanesore, me qëllim të uljes së konsumit dhe shpenzimeve për energji, si dhe përmirësimit të kushteve të banimit.

Sipas Ministrisë, këto investime u mundësojnë familjeve të kenë banesa më të ngrohta gjatë dimrit dhe më të freskëta gjatë verës, duke përfituar njëkohësisht nga kursimet në faturat e energjisë.

Përveç përfitimeve për ekonomitë familjare, efiçienca e energjisë ndihmon edhe në uljen e ngarkesës mbi sistemin elektroenergjetik, forcimin e sigurisë energjetike të vendit dhe mbrojtjen e mjedisit.

/A.K/

Exit mobile version