UBT News

Qeveria ndan 40 milionë euro për FSK-në dhe nga 100 euro shtesa për fëmijët dhe pensionistët

Qeveria e Kosovës ka ndarë 40 milionë euro shtesë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK). Në mbledhjen e sotme ekzekutivi mori vendim edhe për shtesa të njëhershme prej 100 eurove për fëmijët dhe pensionistët. Krahas kësaj, qeveria miratoi disa projektligje dhe nisma për marrëveshje ndërkombëtare, derisa edhe ndau katër milionë euro për të mbështetur bujqit dhe bizneset për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e shtatorit të vitit të kaluar dhe janarin e vitit 2023.

Kryeministri Albin Kurti tha se ndarja prej 40 milionë eurove për FSK-në shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë eurosh apo 2 për qind të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s.

“Me këtë ndarje, shuma e përgjithshme e buxhetit të alokuar për mbrojtje sivjet tejkalon nivelin prej 200 milionë euro, apo mbi 2% të Bruto Produktit Vendor, kriter ky për shtetet anëtare të NATO-s. Arritja e këtij niveli për herë të parë në historinë e re të ushtrisë sonë, tregon se si Qeveri jemi të përkushtuar drejt arritjes së synimit tonë të përbashkët për t’u bërë shtet anëtar në Partneritetin për Paqe, drejt anëtarësimit në NATO”, tha kryeministri Kurti.

Kjo ndarje buxhetore sipas ministrit të Financave, Hekuran Murati bëhet përmes kursimeve të deklaruara nga organizatat buxhetore në vlerë prej mbi 54.3 milionë euro te projekte tjera ku kanë dinamikë më të shpejtë.

“Ruhet struktura e shpenzimeve, pra kemi po aq shpenzime kapitale dhe vetëm ndryshohen projektet. Pra merren mjetet nga ato projekte që jo domosdo janë zbatuar dhe duke u transferuar në projekte që kanë pas dinamikë më të shpejtë të zbatimit. Pra duhet struktura e shpenzimeve duke mos bërë ndryshime të theksuara në kategori. Me këtë vendim shtohen mjetet për bujqësi që në tërësi marrë parasysh kompensimin dhe mbështetjen e bujqve që ishte pak më parë për dëmet, ku shpenzimi e prek nivelin prej 100 milionë eurosh. Po ashtu ndahet edhe 40 milionë eurove për FSK-në që e sjell totalin prej 200 milionë euro”, tha ai.

Në anën tjetër, kryeministri Kurti, tha se shtesa e njëhershme për fëmijët dhe pensionistët gjatë muajit dhjetor do të jetë 100 euro. Ai duke përmendur premtimin elektoral që secili fëmijë të përfitojë 50, 100 apo 150 euro në bazë të të ardhurave të prindërve.

“E qeveria jonë përkujdeset për të gjithë brezat, e veçanërisht për ata që kanë më shumë nevojë. Kam kënaqësinë që sot do të miratojmë një vendim i cili përmbush një premtim tonin të radhës. Është fjala për subvencionimin e të gjithë fëmijëve bazuar në të ardhurat e familjes. Besoj u kujtohet premtimi që çdo vit, secili fëmijë do të përfitojë 50, 100, apo 150 euro, varësisht nga të ardhurat e prindërve. Sivjet, kemi vendosur që të gjithë fëmijët pa dallim, të përfitojnë nga skema, dhe shuma e përfitimit të jetë 100 euro. Mirëpo, planifikojmë që kjo skemë të sofistikohet edhe më tutje duke filluar zbatimin edhe të deklarimit të të ardhurave vjetore nga të gjithë prindërit përfitues, ashtu që të ketë edhe dallim në mbështetje për ata që kanë më pak të ardhura, natyrisht të përfitojnë më shumë”, theksoi Kurti.

Sa i përket shtesës prej 100 eurove për pensionistët, ministri i Financave, Hekruan Murati, tha se të njëjtat do të dalin javën e ardhshme.

“Ka të bëjë me shtesën e mbështetës financiare prej 100 eurove për të gjithë përfituesit e skemave pensionale për muajin dhjetor. Marrë parasysh se pensionet e rregullta ekzekutohen këtë të premte ne do kemi të pamundur të ekzekutojmë shtesën në këtë datë, por gjatë javës në vijim do t’i njoftojmë pension-marrësit për ekzekutimin e kësaj shtese”, theksoi Murati.

Në anën tjetër, Murati tha se katër milionë euro do të ndahen për t’i mbështetur bizneset dhe bujqit për dëmet e shkaktuara nga vërshimet e shtatorit të vitit të kaluar dhe janarit të vitit 2023.

“Me këtë vendim mbështetja do të bëhet për bizneset dhe bujqit. Në mbledhjen e kaluar kemi pas mbështetje për ekonomitë familjare dhe tani janë bujqit dhe bizneset. Mbështetja do të mbajë për qindjen deri 90 për qind të dëmeve të vlerësuara, ndërsa do të ketë një tavan që maksimumi i mbështetjes do të jenë 20 mijë euro për familje apo etnitet të mbështetur”, theksoi Murati.

Qeveria, në mbledhjen e sotme miratoi edhe Projektligjin për sport, Projektligjin për rrugët, Projektligjin për kontrollin e kufirit shtetëror dhe Projektligjin për shërbimet private të sigurisë.

Qeveria emëroi edhe tre anëtarë të Bordit të kompanisë rajonale të ujësjellësit KRU Gjakova me përbërje: Fortuna Haxhikadrija, Faton Osmani dhe Armend Behluli.

Exit mobile version