UBT News

Qeveria ndan 16 milionë euro për zbutjen e krizës energjetike

Qeveria ka miratuar të premten propozim-vendimin për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 1. dhe4. të Planit të Veprimit për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike sipas Vendimit të Qeverisë Nr. 29/112 të datës 13.12.2022, i ndryshuar dhe plotësuar me Vendimin e Qeverisë Nr. 03/128 të datës 16.02.2023 (MFPT).

Në mbledhjen e qeverisë, Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se vlera e kësaj mase është 16 milionë euro.

“Bëhet fjalë për vendimin që sapo e morëm, u barten 22 milion euro dhe tani po ndahen në kuadër të masave që janë paraparë. Ne kemi pranuar kërkesë nga Ministria e Ekonomisë për ndarjen e pesë milion eurove në kuadër të masës 4 për zbutjen e ndikimit të menjëhershëm socio-ekonomik të krizës energjetike. Pra, nga ky 16 milionëshi, 5 milion shkojnë në Ministrinë e Ekonomisë, ndërsa 11 milion tjera shkojnë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve tek programi ndihmat sociale në mënyrë që të bëhet edhe mbulimi i pagesës për familjet e cenueshme në kuadër të programit që kemi miratuar për të adresuar këtë çështje”, tha Murati.

Gjithashtu, në mbledhjen e saj, Qeveria e Kosovës ka miratuar propozim-vendimin për të kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënien e Autorizimit Ministrit të Mbrojtjes për nënshkrimin e Marrëveshjes Kornizë Ushtarake ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Turqisë (MM).

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka treguar se çfarë përfshin kjo marrëveshje. Ai tha kjo marrëveshje mundëson shkëmbimin e personelit si dhe edukimin ushtarak që është në interes të dy palëve.

“Kjo marrëveshje mbulon shkëmbimin e personelit, materialeve, pajisjeve dhe informacionet, si dhe përvojat në këto fusha, stërvitje dhe edukim ushtarak, arsimim dhe kurse në shkolla ushtarake, shkëmbIm i intelegjencës ushtarake si dhe fusha të tjera që janë në interes për të dyja palët”, tha Maqedonci.

Exit mobile version