Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në mbledhjen e kabinetit qeveritar njoftoi se në takimin e djeshëm me zëvendësdrejtorin e PK-së dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese kanë diskutuar gjatë rreth kërkesave të tyre.
Shefi i ekzekutivit shtoi se shtesat e rrezikshmërisë do të fillojë së aplikuari nga paga e muajit nëntor, kurse për muajt e deritanishëm nga hyrja në fuqi e Ligjit të ri për Pagat do të ndahet në mënyrë retroaktive. Ai u zotua se janë të përkushtuar për kushte më të mira për Policinë e Kosovës, por edhe për siguri në punë.
“Shtesat e rrezikshmërisë për pjesëtarët e Policisë së Kosovës do të prezantohen për miratim sot. Dje kishim një takim me zëvendësdrejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës dhe pjesëtarë të Njësisë Speciale Intervenuese, me të cilët diskutuam gjatë rreth kërkesave të tyre dhe arsyeshmërisë sonë mbi kategorizimin dhe vlerën e shtesave të rrezikshmërisë”, deklaroi ai.