Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për agjencinë e menaxhimit të emergjencave. Përmes këtij projektligji u tha se do të fuqizohet roli i agjencisë në menaxhimin e emergjencave në nivel kombëtar, përgatitjen dhe koordinimin e strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes. Ekzekutivi i dha dritën e gjelbër edhe nismës për lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit “Protokoll për Trajnimin dhe Bashkëpunimin në fushën e Shëndetit Ushtarak” ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë.
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Bardhyl Dobra, tha se Projektligji për agjencinë e menaxhimit të emergjencave do të përmirësojë reagimin ndaj emergjencave dhe forcimin e sigurisë kombëtare.
“(Ky projektligj) Synon të krijojë një strukturë të qartë dhe funksionale për këtë agjenci ekzekutive, duke përcaktuar detyrat, përgjegjësitë dhe mënyrat e financimit të saj. Ky projektligj përfshinë rolin e agjencisë në menaxhimin e emergjencave në nivel kombëtar, përgatitjen dhe koordinimin e strukturave të shpëtimit dhe mbrojtjes si dhe bashkëpunimin ndërkombëtarë në fushën e sigurisë civile. Objektivi kryesor është që të vendoset një kuadër ligjor për funksionimin efikas të Agjencisë të Menaxhimit Emergjent, duke përmirësuar reagimin ndaj emergjencave dhe forcimin e sigurisë kombëtare”, tha ai.
Duke arsyetuar nevojën e një marrëveshje me Turqinë për “shëndetin ushtarak”, kryeministri Albin Kurti, tha se do të mundësohet rritja e kuotave për trajtimet mjekësore për ushtarakët e Forcës së Sigurisë së Kosovës në spitalet ushtarake të Turqisë.
“Përmes këtij protokolli mundësohet ofrimi i kuotave shtesë për trajtimin e ushtarakëve të FSK-së në institucionet mjekësore ushtarake turke. Me këtë marrëveshje, kuota e trajtimeve mjekësore në dispozicion, rritet nga 50 në 75 në vit. Të gjitha këto trajtime janë falas dhe bëhen në spitale ushtarake”, tha Kurti.
Krahas këtyre, qeveria mori vendim edhe për themelimin e komitetit drejtues për mbikëqyrjen e zbatimit të projektit “Skema e profesionistëve të rinj” në kuadër të programeve IPA 2018.
Po ashtu mori vendim edhe për shpronësimin e pronave që preken nga restaurimi i kompleksit memorial në Reçak.