Qeveria e Kosovës ka rënë dakord të ketë një pako të re mbështetëse për komunitetet joshumicë.
Kjo pako që për fillim do të jetë në vlerë prej 3 milionë euro, përmban masa mbështetëse për: vende të reja të punës për bizneset ekzistuese dhe të reja; bujqit dhe prodhuesit e vegjël në zonat rurale; shoqërinë civile që kontribuon në integrimin dhe afirmimin e komuniteteve joshumicë.
“Miratimi i saj pritet të bëhet në mbledhjen e radhës së Qeverisë. Pakoja synon që përmes punësimit dhe prodhimit të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin, mirëqenien dhe integrimin sa më të plotë të komuniteteve joshumicë në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Kryeministri Albin Kurti, zëvendëskryeministrja për Çështje të Pakicave dhe Drejtat e Njeriut, Emilja Redžepi, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rašić dhe këshilltarja e Kryeministrit për Çështje të Komuniteteve, Elizabeth Goëing, zhvilluan sot gjatë paradites një takim në të cilin diskutuan dhe u dakorduan për pakon e re mbështetëse për komunitetet joshumicë në vend.