UBT News

Qeveria më 2022 shpenzoi rreth 1.4 milion euro më shumë se sa arkëtoi

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të premten raportin për Llogaritë Qeveritare të Kosovës për periudhën 2015-2022. Ky publikim paraqet pasqyrën e të hyrave dhe shpenzimeve qeveritare brenda kësaj periudhe.

Sipas raportit të ASK-së, të hyrat e Qeverisë për vitin 2022 ishin 2 miliardë e 622 milionë e 400 mijë euro.

“Gjithsej të hyrat e Qeverisë së Përgjithshme për vitin 2022 ishin 2 622.4 milion Euro. Pjesën më të madhe të të hyrave e përbëjnë tatimet në produkte, të cilat paraqesin 71% të totalit të të hyrave; tatimet rrjedhëse në të ardhura 15%; ndërsa pjesa e mbetur e të hyrave është shpërndarë në kategori të tjera të të hyrave”, thuhet në njoftim.

Ndërsa vlera e shpenzimeve ishte 2 miliardë e 623 milionë e 800 mijë euro, ose 1.4 milionë euro më shumë se sa ka arkëtuar.

“Gjithsej shpenzimet e Qeverisë së Përgjithshme ishin 2 623.8 milion Euro. Pjesën më të madhe të shpenzimeve e përbëjnë: kontributet sociale dhe përfitimet (25%); kompensimi i punëtorëve (24%); subvencionet (15%); konsumi i ndërmjetëm (14%); ndërsa pjesa e mbetur e shpenzimeve është shpërndarë në kategori të tjera të shpenzimeve”, thuhet në raportin e ASK-së.

Ky publikim thuhet se është përgatitur në përputhje të plotë me Udhëzuesin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për Statistikat e Financave Qeveritare (GFSM 2014) dhe sipas Sistemit të Llogarive Evropiane (ESA 2010).

Exit mobile version