Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar një vendim që kufizon marzhën e fitimit për 102 grupe produktesh, duke përfshirë mbi 1.000 artikuj ushqimorë dhe jo ushqimorë, me qëllim uljen e çmimeve dhe mbrojtjen e qytetarëve nga rritjet e çmimeve.
Sipas vendimit, për tetë produkte bazë si buka, mielli, vaji, vezët, marzha e fitimit nuk duhet të kalojë mbi 5%. Për 55 produkte të tjera, si mishi dhe produktet e konservuara, kufiri është 10%, ndërsa për 39 produkte të tjera, si fruta, perime dhe artikuj higjienikë, marzha lejohet deri në 15%.
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, deklaroi se tregtarët do të jenë të detyruar të mbajnë në raftet e tyre të paktën 70% të këtyre produkteve. Ai theksoi se pritshmëritë janë që çmimet e produkteve ushqimore bazë të ulen mesatarisht për rreth 10%, përveç tetë produkteve bazë si qumështi, buka, mielli, vezët, vaji, kos dhe dhallë, për të cilat pritet të mbeten në të njëjtin nivel.
Ky vendim, që do të hyjë në fuqi të mërkurën dhe do të zbatohet deri më 30 prill, vjen pas dy bojkotimeve të blerjeve nga qytetarët për shkak të çmimeve të larta të ushqimeve./UBTNews/