Gjermania, e njohur për papunësinë e saj të ulët në Europë, ka bërë një hap të ri në përpjekjet për të ndihmuar ata që janë pa punë. Në qershor të këtij viti, qeveria njoftoi se numri i të papunëve në vend arrinte në 2,73 milion. Megjithatë, ky numër është i variueshëm sipas sezonit, dhe personat e kualifikuar zakonisht kthehen më shpejt në tregun e punës sesa ata të pakualifikuar.
Qeveria gjermane ka vendosur të ofrojë një bonus prej 1000 eurosh për ata të papunë që gjejnë një punë me kontribute sociale për të paktën një vit. Ky masë është pjesë e një reforme më të gjerë për modernizimin e sigurimeve të papunësisë dhe nxitjen e punësimit, siç njoftoi Ministria Federale e Ekonomisë. Sipas qeverisë, qëllimi i këtij bonusi është të ndihmojë të papunët afatgjatë të kalojnë në një punë të qëndrueshme dhe të zvogëlojnë varësinë nga mbështetja sociale.
Ministria theksoi se “të papunët afatgjatë duhet të jenë në gjendje të kapërcejnë dhe të lënë mbështetje bazë të shtetit.” Ajo gjithashtu synon që buxheti federal të ketë “kursime përkatëse kostosh” në afat të gjatë.
Megjithatë, plani i qeverisë ka hasur në kundërshtim të fortë nga opozita. Martin Huber, Sekretari i Përgjithshëm i CSU-së, e quajti bonusin si “tallje e hapur” për ata që kanë punuar për vite me radhë. “Qeveria e koalicionit rrezikon paqen sociale dhe i hedh më shumë benzinë zjarrit,” tha ai për gazetën “Bild”.
Po ashtu, Frank Bsirske nga Të Gjelbërve, një nga partitë e koalicionit qeverisës, shprehu dyshime për nevojën e një shpërblimi të tillë. Ai theksoi se shumica e njerëzve që marrin “Bürgergeld” janë të gatshëm të pranojnë një punë nëse iu jepet mundësia.
Frank Schäffler, nga partia liberale FDP, e cilësoi planin si një “skandal”, duke thënë se shpenzimet janë në rritje dhe që bonusi duhet të ndalet në Bundestag.
Kabineti qeveritar ka vendosur gjithashtu ashpërsimin e rregulloreve për ata që marrin kontributin social “Bürgergeld”, duke përfshirë penalizime më të rrepta për refuzimin e punës. Kjo reformë ka për qëllim të inkurajojë më shumë individë të gjejnë punë dhe të largohen nga varësia sociale./UBTNews/