Rezervat e gazit të Gjermanisë kanë rënë në nivele “shqetësuese”, pranoi qeveria të mërkurën, mes tensioneve me Rusinë dhe një vonese për miratimin e gazsjellësit të ri Nord Stream 2.
Një zëdhënëse e ministrisë për ekonominë dhe klimën tha në një konferencë për shtyp të mërkurën se qeveria “po monitoron situatën e niveleve të ruajtjes dhe sigurisht që është shqetësuese”.
Rezervat e gazit kanë rënë në 35-36% nga 40% kohët e fundit dhe 80% në 2020.
Më shumë se 55% e importeve të gazit të Gjermanisë vjen nga Rusia, një shifër që është rritur me 15 pikë përqindje që nga viti 2012, përcjell UBT News.
Deri më tani, qeveria e kancelarit Olaf Scholz kishte pohuar se “furnizimet ishin të siguruara” dhe se nuk kishte rrezik për mungesa, pavarësisht shqetësimeve në vend se mund të mos kishte gaz të mjaftueshëm për gjatë periudhës së dimrit.
Sipas një raporti të Ministrisë së Ekonomisë dhe Klimës, një rezervë prej 40% do të mjaftonte vetëm për shtatë ditë me temperatura polare.
Instituti ekonomik me bazë në Berlin DIW paralajmëroi në janar se “nëse konflikti në Ukrainë përshkallëzohet dhe Rusia ndalon në mënyrë efektive furnizimet për Gjermaninë, ne do të përballemi me një krizë të re gazi. Si rezultat, çmimet e gazit do të vazhdojnë të rriten – dhe bashkë me to edhe kostot për konsumatorët dhe ekonominë në tërësi”./UBTNews/