Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka konfirmuar se Albin Kurti ka rënë pre e komedianëve të njohur rusë, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët janë më të njohur me emrat Vovan dhe Lexus. Këta dy komikë, të cilët kanë mashtruar për shumë vite liderë botërorë dhe figura të tjera publike, e kanë futur në një grackë kryeministrin e Kosovës duke u prezantuar si presidenti i Letonisë.
Në një video të publikuar në platformën Rumble, Kurti dëgjohet duke diskutuar për çështje të ndjeshme politike, përfshirë luftën hibride, të cilën ai e lidh me përfshirjen e Serbisë dhe Rusisë, por gjithashtu përmend edhe disa aktorë të tjerë të brendshëm, duke përfshirë opozitën dhe oligarkët e Kosovës. Kurti në bisedë përmend se “lufta hibride ka ndodhur nga Serbia dhe Rusia, por edhe nga disa të Kosovës”, dhe përmend premtimet irracionale të opozitës dhe ndikimin e disa oligarkëve të Kosovës.
Vovan dhe Lexus janë komikë të njohur për ngjarjet e tilla, ku ata i mashtruan liderë të njohur globalë, duke u prezantuar si figura të rëndësishme shtetërore. Disa nga viktimat e tyre përfshijnë ish-kryeministrin maqedonas Zoran Zaev, ish-sekretaren amerikane të Shtetit Hillary Clinton dhe ish-zëvendëspresidenten amerikane Kamala Harris.
Qeveria e Kosovës e ka cilësuar këtë incident si një “prank call” dhe ka sqaruar se ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, kur Kryeministri Kurti po pranonte një numër të madh urimesh dhe thirrjesh për rezultatet e zgjedhjeve. Në një periudhë kaq të ngarkuar, është shpjeguar se nuk ishte gjithmonë e mundur të bëheshin verifikime të plota për çdo telefonatë.
Sipas Qeverisë, ky incident përforcon dyshimet e mëparshme mbi ndikimin dhe fiksimin e Rusisë ndaj Kosovës. Ajo thekson se gjatë fushatës zgjedhore të shkurtit, mediumet ruse si Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) kanë shpërndarë më shumë se 60 artikuj dhe lajme dezinformuese, duke ndërhyrë në procesin demokratik të Kosovës, një ndërhyrje që është dokumentuar nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Në përfundim, qeveria ka shprehur keqardhje për këtë ngjarje dhe ka theksuar se, pavarësisht këtij incidenti, qëndrimet parimore të Kryeministrit Kurti për çështjet kyçe të politikës, siç janë bisedat publike dhe private, mbeten të palëkundura./UBTNews/